Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se 16 prilli është “ditë e turpshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, pasi shumica e deputetëve të saj e mbështetën anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime, Asambleja Parlamentare e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë një seance plenare të martën në Strasburg.
Radiotelevizioni i Serbisë (RTS) e citoi Daçiqin të ketë thënë se Serbia do ta vazhdojë luftën e saj “me të gjitha forcat” në mënyrë që vendimi të mos miratohet në Komitetin e Ministrave më 16 maj.
“Ne do ta shohim vlerën e fjalës që bashkësia ndërkombëtare ia dha presidentit Aleksandar Vuçiq, se Kosova nuk do të pranohej në Këshillin e Evropës derisa ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndryshe do të jetë gënjeshtër përsëri”, tha Daçiq.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij, por Prishtina nuk e ka themeluar atë.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022 dhe bëri një hap përpara drejt anëtarësimit kur më 27 mars, Komisioni për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet se Kosova i plotësoi kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e kësaj organizate ndërkombëtare.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës, e themeluar më 1949.
Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.
Në dy raste, Serbia votoi kundër kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, megjithëse asaj i kërkohet të mos e kundërshtojë anëtarësimin e vendit fqinj në asnjë organizatë ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen Bazë që palët e arritën në dialogut e ndërmjetuar nga BE-ja në shkurt të vitit 2023.
BE-ja thotë se Marrëveshja Bazë është ligjërisht e detyruese për Kosovën dhe Serbinë.
Por, zyrtarët e Beogradit kanë thënë vazhdimisht se nuk do t’i zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes. /REL