Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut (Conmebol) shprehu këtë të enjte mohimin e dhunës, pas incidenteve të raportuara mes qindra tifozëve të Boca Juniors dhe Fluminense në Rio de Zhaneiro, në orët para finales së “Copa Libertadores”.
“Conmebol iu bën thirrje tifozëve të Boca Juniors dhe Fluminense të ndajnë së bashku momentet e gëzimit dhe festës që na jep futbolli ynë. Vlerat e sportit për të cilin ne jemi më të pasionuar duhet të jenë sjellje frymëzuese të paqes dhe harmonisë. Ne hedhim poshtë aktet e dhunës dhe racizmit që mund të ndodhin në kuadër të kësaj finale”, – shkroi “Conmebol” në llogarinë e vet në Twitter.
Mesazhi i konfederatës erdhi disa orë pasi një grup i madh tifozësh të klubit brazilian rrethuan tifozët e Boca Juniors në plazhin e Copacabana dhe i dëbuan me dhunë nga rëra. Ishte një episod që u pasua me qortime të ashpra nga punonjësit e policisë së qytetit.
Agjentët, të cilët kishin përforcuar Copacabana për të shmangur këtë lloj incidenti, përfunduan duke shpërndarë tifozët e të dyja skuadrave me gaz lotsjellës. Imazhet e sulmit dhe trazirave të shkaktuara u shumëfishuan në rrjetet sociale, veçanërisht nga tifozët argjentinas që ankoheshin për dhunën e pësuar.
Incidentet u regjistruan pranë një kioske plazhi në pronësi të tre argjentinasve, të cilën tifozët e Boca e zgjodhën si pikë grumbullimi, pavarësisht se “Conmebol” organizoi gjithashtu një “Fan Fest” në plazhin e Copacabana.
Pasi një çift turistësh u sulmuan dhe grabitën të hënën nga tre anëtarë të tifozërisë së organizuar të Fluminense, të cilët u arrestuan, guvernatori i Rio de Zhaneiro përforcoi praninë e policisë në vendet ku mblidhen fansat argjentinas.
Autoritetet braziliane nuk kanë një parashikim të qartë për numrin e argjentinasve që do të jenë në Rio de Zhaneiro të shtunën, për finalen e “Copa Libertadores”. Autoritetet konsullore vlerësojnë se rreth 100.000 argjentinas mund të udhëtojnë në qytetin brazilian, shumica e tyre pa bileta për në stadium.
Sipas qeverisë rajonale, numri i zakonshëm i policëve që patrullojnë qytetin u përforcua me 2.400 agjentë, të cilët do të kenë misionin të garantojnë sigurinë si rreth “Maracaná’, ashtu edhe në vendet ku mblidhen tifozët. Sido që të jetë, orët e ardhshme priten shumë tensione para finales, e cila do të zhvillohet të shtunën, më 4 nëntor, prej orës 21:00.