COP27 – test i ri kundër ngrohjes globale

200 SHTETE NË SAMIT PËR KLIMËN NË EGJIPT, PËRPJEKJE E RE PËR SHPËTIMIN E NATYRËS

Samiti ndërkombëtar për klimën që do të fillojë javën e ardhshme në Egjipt konsiderohet si test i ri për zgjidhjet e shteteve në botë në luftën kundër ngrohjes globale. Në kushte kur shumica e “lojtarëve të mëdhenj” hasin në pengesa në plotësimin e premtimeve të dhëna për shkak të krizës energjetike dhe inflacionit që vijuan pas agresionit rus në Ukrainë, shkencëtarët paralajmërojnë – në qoftë se nuk plotësohen premtimet e dhëna, ndryshimet klimatike mund të dalin jashtë kontrollit!

Videoja e shkurtër që njofton samitin për klimën, gjatë javës së ardhshme në Egjipt, paralajmëron të ardhme të zymtë – uragane, vërshime, zjarre dhe shkatërrim, në qoftë se nuk plotësohen detyrat e dhëna për kontroll të ngrohjes globale. Mbi 30 mijë delegatë, përfaqësues të 200 shteteve, prej 6 deri më 18 nëntor do të mblidhen në pushimoren egjiptiane Sharm El Sheik në përpjekje që sërish të angazhohen për plotësimin e premtimeve për ngadalësimin e ndryshimeve klimatike dhe sigurimin e ndihmës për ata që tashmë i ndjejnë pasojat. Në periudhë kur shumica e shteteve evropiane përballen me krizën, rritje të çmimeve të ushqimit dhe energjensëve, rritje të ngadalësuar ekonomike dhe pakënaqësi, shtrohet pyetja nëse vazhdojnë të jenë të vendosur për hapa të shpejtë dhe ambiciozë për shmangien e efekteve edhe më të këqia të ndryshimeve klimatike. Nuk japin shpresë as marrëdhëniet e ftohta në mes ndotësve më të mëdhenj, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Kombinimi i ndikimit gjithnjë e më të madh klimatik dhe tensioneve të reja në kontekstin politik nuk i bën më të lehta bisedimet për klimën. Çështjet kyçe për COP27 janë shkalla e dëmit dhe pasojat financiare nga ky dëm”, tha Xhenifer Bansard, “Earth Negotiation Bulletin

Raporti i Kombeve të Bashkuara i publikuar javën e kaluar sugjeron se bota shumë ngadalë i plotëson angazhimet për uljen e emetimit të dioksidit të karbonit, përkatësisht se emetimi global i gazrave të dëmshëm është në rritje për 10,6% deri në vitin 2030, në krahasim me nivelet në vitin 2010. Nga ana tjetër, shkencëtarët paralajmërojnë – ndotja duhet të ulet për 43% deri në vitin 2030 në mënyrë që të kufizohet ngrohja e planetit për 1,5 gradë Celzius, në raport me temperaturat paraindustriale. Në të kundërt, thonë se ekziston rreziku që ndryshimet klimatike të dalin nga kontrolli, me pasoja të paparashikueshme. Nga pothuajse 200 shtete, sa do të marrin pjesë në COP27, vetëm 24 kanë dorëzuar plane të reja ose të përditësuara për uljen e emetimit të gazrave të dëmshëm, obligim që e morën përsipër të gjitha shtetet në samitin e vitit të kaluar që u mbajt në Glasgou./KlanMacedonia

Përgatiti: Biljana Georgievska

Lexo gjithashtu
Total
0
Share