Clinton s’ia doli, por a mund ta mposht Trumpin, Kamala Harris?

Zëvendëspresidentja aktuale e ShBA-së, Kamala Harris, duket se ka siguruar mbështetjen e shumicës së delegatëve demokratë, për t’u bërë kandidatja e partisë për presidente.

Një sondazh nga Associated Press nxori në pah se ajo ka marrë miratimin e më shumë se 1,976 delegatëve të nevojshëm për të fituar nominimin në raundin e parë të votimit. Sipas këtij sondazhi, zonja Harris është në rrugën e duhur për të qenë konkurruesja demokrate e republikanit Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Edhe vetë Harris u deklarua se tashmë ka siguruar numrat e nevojshëm për të qenë kandidate në garën presidenciale.

“Unë jam mirënjohëse për presidentin Biden dhe të gjithë në Partinë Demokratike që tashmë kanë besuar tek unë dhe mezi pres t’ia çojmë çështjen tonë drejtpërdrejt popullit amerikan” u shpreh Harris.

Megjithatë kjo gjë zyrtarizohet kur delegatët e partisë mbajnë votojnë përpara Konventës Kombëtare Demokratike (DNC) gjatë muajit të ardhshëm në Çikago.

Delegatët zgjidhen për të përfaqësuar zonat e tyre zgjedhore. Premtimet e tyre të mbështetjes nuk janë të detyrueshme deri në votim, por pak ka gjasa të ndryshojnë.

Deri tani askush nuk ka dalë publikisht për të sfiduar zonjën Harris që kur presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara të dielën.

Kamala Harris synon të krijojë një realitet të ri dhe historik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë presidentja e parë grua.

Para saj, demokratët me një grua kandidate provuan me Hillary Clinton, por që në betejën zgjedhore, humbi nga Donald Trump, i cili qëndroi në krye të SHBA-së nga viti 2017 deri më 2021.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share