Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka reaguar pasi anuloi vizitën në Kosovë.
Ai tha se kjo ndodhi për shkak se ka dalë pozitiv me COVID-19.
“Më vjen keq që do të më duhet të shtyj udhëtimin tim në Ballkan dhe Bruksel për shkak të një testi pozitiv për COVID. Unë do të mbetem i angazhuar në të gjitha çështjet në rajonin e Ballkanit dhe mezi pres të bëj udhëtimin në fillim të vitit të ardhshëm”, shkroi ai në Twitter.
Ka qenë e paraparë që Chollet dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të takojnë pasditen e sotme udhëheqësit e lartë të shtetit të Kosovës, ndërsa mëngjesin e së martës përfaqësues të partive politike.
Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës u bë e ditur se kryeministri Albin Kurti do të presë pasdite në takim vetëm Escobarin.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar”, ka njoftuar Qeveria.