Charles III mban fjalimin e parë si Mbret i Mbretërisë së Bashkuar

Mbreti Charles ka mbajtur pasditen e sotme fjalimin e parë të tij si Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar pas vdekjes së nënës së tij, Elizabeth II. Gjatë fjalës së tij, Mbreti Charles III ka shprehur gjithë dhimbjen që ndjen për humbjen e nënës së tij. Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III e ka përshkruar me fjalë të ndjerë gjithë rrugëtimin e nënës së tij të ndjerë, Mbretëreshës Elizabeth II.

“Ju flas sot me një dhimbje të thellë. Gjatë gjithë jetës së saj, Madhëria e saj, Nëna ime e dashur , ishte një frymëzim dhe shembull për mua dhe për të gjithë familjen time dhe ne i detyrohemi asaj borxhin më të përzemërt që çdo familje mund t’i ketë nënës për dashurinë, mirëkuptimin dhe shembullin që përcolli. Ajo bëri sakrifica për detyrën.

Përveç pikëllimit që po ndjen e gjithë familja ime, ne ndajmë gjithashtu me shumë prej jush në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë botën një ndjenjë të thellë mirënjohjeje, për më shumë se 70 vite në të cila ime më si Mbretëreshë u shërbeu njerëzve të kaq shumë kombeve.

Në vitin 1947, në ditëlindjen e saj të 21-të, ajo u zotua t’i kushtonte jetën në shërbim të popullit të saj. Ky ishte më shumë se një premtim. Ishte një angazhim i thellë personal, i cili përcaktoi gjithë jetën e saj. Dashuria, admirimi dhe respekti që ajo frymëzoi u bënë një shenjë dalluese e mbretërimit të saj.

E di që vdekja e saj sjell pikëllim të madh për shumë prej jush dhe unë po e ndaj ndjenjën e humbjes së madhe me të gjithë ju.

Kur Mbretëresha erdhi në fron, Britania dhe bota ende po përballeshin me pasojat e Luftës së Dytë Botërore dhe ende jetonin sipas konventave të kohëve të mëparshme. Gjatë 70 viteve të fundit ne kemi parë shoqërinë tonë të bëhet një nga shumë kultura dhe besime të shumta. Nga ana tjetër, institucionet e shtetit kanë ndryshuar. Por, përmes të gjitha ndryshimeve dhe sfidave, kombi ynë ka përparuar.

Vlerat tona kanë mbetur dhe duhet të mbeten konstante. Roli dhe detyrat e Monarkisë mbeten gjithashtu, ashtu si edhe marrëdhënia dhe përgjegjësia e veçantë e Sovranit ndaj Kishës së Anglisë – Kishës në të cilën besimi im është aq thellë i rrënjosur. Siç bëri vetë Mbretëresha me një përkushtim të palëkundur, edhe unë tani zotohem solemnisht gjatë gjithë kohës së mbetur që Zoti më jep, të mbaj parimet kushtetuese në zemër të kombit tonë.

Kudo që jetoni në Mbretërinë e Bashkuar ose anembanë botës dhe cilado qoftë prejardhja apo bindjet tuaja, unë do të përpiqem t’ju shërbej me besnikëri, respekt dhe dashuri, siç kam bërë gjatë gjithë jetës sime. Jeta ime sigurisht që do të ndryshojë ndërsa marr përgjegjësitë e mia të reja. Nuk do të jetë më e mundur që unë të jap kaq shumë nga koha dhe energjitë e mia për bamirësitë dhe çështjet për të cilat më interesojnë aq shumë. Por e di që kjo punë kaq e rëndësishme do të vazhdojë në duart e besuara të të tjerëve. Kjo është gjithashtu një kohë ndryshimi për familjen time. Unë mbështetem në ndihmën e dashur të gruas sime të dashur Camilla, e cila bëhet bashkëshortja ime mbretëreshë.”

Gjatë fjalimit, Mbreti Charles III ka bërë të ditur se tanimë, William si trashëgimtar i tij merr titujt skocezë dhe e pason atë si Princ teksa ka shprehur dashurinë e tij për djalin tjetër, Harry-n dhe bashkëshorten e tij Meghan.

“Si trashëgimtari im, William tani merr titujt skocezë që kanë qenë kaq shumë për mua. Ai më pason mua si Duka i Cornëall-it dhe merr përsipër përgjegjësitë për Dukatin e Cornëall-it, të cilat unë i kam ndërmarrë për më shumë se pesë dekada. Shpreh dashurinë time për Princin Harry dhe Meghan ndërsa ata vazhdojnë të ndërtojnë jetën e tyre jashtë shtetit.”

Mbreti Charles III ka falenderuar të gjithë për ngushëllimet dhe mbështetjen e tyre në emër të familjes mbretërore.

“Në emër të gjithë familjes sime, mund të falënderoj më të sinqertë dhe të përzemërt për ngushëllimet dhe mbështetjen tuaj. Ata kanë më shumë vlerë për mua sasa mundem që ta shpreh.”

Mbreti Charles III e përfundoi fjalimin e tij me fjalët e mëposhtme:

“Dhe mamasë sime të dashur, dua t’i them thjesht Faleminderit.

Faleminderit për dashurinë dhe përkushtimin ndaj familjes sonë dhe ndaj familjes së kombeve që ju ke shërbyer me kaq zell gjatë gjithë këtyre viteve.”/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share