Trajneri i Barcelonës mund të shkarkohet para kohe
Situata në klubin e Barcelonës nuk është aspak e mirë. Barazimi ndaj Granadës vetëm sa ka konfirmuar krizën e rezultateve.
Ngecja e kësaj fundjave ka ekspozuar të gjitha të këqijat e këtij ekipi. Aq sa tani, nuk ka asnjë garanci se Xavi do të vijojë punën deri në fund të sezonit.
Të gjithë sytë janë përqendruar te ndeshja e Champions League kundër Napolit. Një humbje mund të përshpejtojë largimin e menjëhershëm të trajnerit aktual. Pasuesi i tij që mund të jetë trajneri i Barcelona B, meksikani Rafael Márquez.
Presidenti Joan Laporta, ka nisur të shfaqë shenja lodhjeje në mbrojtjen e vazhdueshme ndaj Xavi.
Këshilltarët e tij dhe njerëzit e besuar i kanë bërë presion prej disa kohësh për të marrë një vendim në lidhje me trajnerin.
Edhe drejtori sportiv, Deco, duket se i ka kthyer shpinën Xavi. Objektivi në La Liga është të arrijë Gironën dhe të përfundojë të paktën në vendin e dytë, duke garantuar kështu jo vetëm Superkupën, por edhe pjesëmarrjen në Champions League, ndërsa në garën kontinentale duan të arrijnë të paktën në çerekfinale.
Një humbje në “Maradona” do të sillte fundin e projektit të Xavit disa muaj para përfundimit të sezonit.