Akulli që mbulon Himalajet po shkrihet shumë shpejt! Kështu raportojnë mediat e huaja dhe sipas tyre ky fenomen përbën një “alarm” për klimën.
Çfarë po ndodh?
Rajoni Hindu Kush Himalayan ka një sipërfaqe të konsiderueshme dhe “strehon” malet më të larta të botës, përfshirë dhe Everestin. Ky i fundit përmban sasinë më të madhe të akullit nga malet e tjera.
Sipas CBS News, një rritje prej 4 gradë Celsius e temperaturave mund të çojë në humbjen e rreth 80% të akullit në Himalayan dhe kjo do të ishte shqetësuese. Ky paralajmërim vjen nga një raport i ri i “Live Science” që dëshmon se akullnajat janë shkrirë 65% më shpejt se para 10 vitesh.
Philippus Wester, shkencëtari kryesor që është marrë me këtë studim thotë se ky fenomen është me të vërtetë alarmues. “Nuk e kemi parë kurrë akullin të shkrijë kaq shpejt”, shprehet ai.
Pam Pearson, drejtoreshë e ‘Iniciativës Ndërkombëtare të Klimës së Kriosferës’, theksoi rëndësinë e kufizimit të ngrohjes së Tokës sepse siç thotë ajo “ndryshimet do të jenë të pakthyeshme”.
Në rajonin e Himalayan rrjedhin 12 lumenj që sigurojnë ujë të ëmbël për rreth 2 miliardë njerëz, shkrirja e akullnajave do të ishte katastrofike për ta sepse do shkaktonte përmbytje, rrëshqitje dheu, ortekë dhe dëme në bujqësi.
“Në mënyrë indirekte, shkrirja e një rezerve kaq të madhe do të ndihet në mbarë botën”, tha studiuesja Izabella Koziell.
Çfarë mund të bëhet për të ngadalësuar shkrirjen e akullnajave?
Ne mund të shmangim përdorimin e plastikës, të përdorim energjinë e diellit, të zëvendësojmë pajisjet e vjetra me modele të reja me efikasitet energjetik dhe të kufizojmë djegien e gazit të metanit. Vetëm kështu do të stoponte mbinxehja e Tokës e rrjedhimisht shkrirja e vazhdueshme e akullnajave në botë, që nëse vijon kështu brenda këtij shekulli, pasojat do të jenë fatale./tvklan.al