Droni i mbushur me eksploziv sulmon kolegjin, shkakton mbi 100 viktima dhe 240 të plagosur
Ceremonia e diplomimit të ushtarëve të rinj në Siri kthehet në tragjedi. Një sulm me dron në kolegjin ushtarak në provincën Homs shkaktoi të paktën 100 viktima, mes tyre ushtarakë të rinj dhe familjarë të tyre, si dhe ka plagosur 240 persona.
Ushtria fajësoi grupet terroriste të mbështetura nga forcat e njohura ndërkombëtare. Sulmi me dron besohet të jetë nisur nga zonat e kontrolluara nga opozita në veri-perëndim të Homsit. Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë dhjetëra viktima dhe të afërmit e tyre që bëjnë thirrje për ndihme ndërsa në sfond dëgjohen edhe të shtëna me armë zjarri.
Pas sulmit me dron, forcat qeveritare siriane bombarduan fshatrat në provincën Idlib, në veriperëndim ku u plagosen 10 civilë.
Komanda e Përgjithshme e Forcave të Armatosura bëri të ditur se disa dronë që mbanin eksplozivë shënjestruan akademinë ushtarake të Homsit menjëherë pas përfundimit të ceremonisë së diplomimit duke e konsideruar sulmin si një akt kriminal të paprecedentë dhe pohon se do t’i përgjigjet me forcë dhe vendosmëri të plotë këtyre grupeve terroriste kudo që ndodhen.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres “shprehu shqetësim të thellë” për ngjarjen. Guterres bëri thirrje për një armëpushim mbarëkombëtar. Deri më tani, lufta ka vrarë gjysmë milioni njerëz, ka plagosur qindra mijëra dhe ka shkatërruar shumë pjesë të vendit. Më shumë se 5 milionë sirianë janë larguar refugjatë pas luftës që vijon mbi 1 dekadë.
Klan News