Hapja e çerdheve në Likovë dhe Haraçinë vazhdon t’i përplas institucionet lokale dhe ato qëndrore, edhe pse edhe sot çerdhet vazhdojnë të jenë të mbyllura, fajin për mos hapjen e tyre, nuk e merr asnjë institucion.
Në vigjilje të kësaj, Ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, tha se hapja e institucioneve në fjalë varet nga komunat sepse ligjërisht janë dhënë të gjitha pëlqimet për hapjen e tyre nga ana e Ministrisë që ai drejton.
Nëse para disa muajsh Limani kishte hatërmbetje dhe deklaronte se nuk do të nënshkruaj, sot i njëjti ka ndryshuar mendje dhe thotë se është në dispozicion për tu ndihmuar kryetarëve.
“Nuk fajsoj asnjërin, unë procedurën e kamë përshkuar i kam nënshkruar edhe pëlqimet u janë ofruar atyre, kurse arsyeja se pse nuk happen çerdhet me të cilën dhe për të cilën duhet të japin përgjigje dhe shpjegim ata por mendoj dhe mendja ma merr se ata si kryetar komunash, i dijnë hapsirat dhe mundësitë që i kanë, unë jam këtu për tu ndihmuar në të gjitha aspektet të cilat janë në ministrinë tonë” – tha Fatmir Limani.
Por ndryshe nga Limani thotë kreu i Likovës, Erkan Arifi, i cili në një prononcim për Klan Maqedoni, sqaroi në detaje se çfarë ka nënshkruar dhe si ka nënshkruar Fatmir Limani. Arifi deklaroi mes tjerash se çerdhja në fshatin Mateç do të hapet në fund të shkurtit.
“Pëlqimet të cilat jepen nga ana e Ministrisë së Financave dhe pastaj nga Ministria për Politikë Sociale, jepen për vit kalendarik, për vitin 2024 dhe më 27 dhjetor në bazë të ligjit, ishim të obliguar të kërkojmë vazhdimin e atyre pëlqimeve për vitin 2025 dhe deri në fund të muajit janar nuk arritëm që ti marrim pëlqimet dhe në muajin shkurt arritëm që ti marrim pëlqimet duke shkuar në Ministri të Financave dhe Ministri për Punë dhe Politikë Sociale për t’i kërkuar një ditë e më heret që të jepen pëlqimet që të vazhdojmë me procedurat e tjera administrative dhe pas kryerjes së procedurave të tjera në kuadër të çerdhes dhe deri në fund të muajit shkurt do të bëhet hapja e çerdhes “Valbona 2001” në Komunën e Likovës” – tha Erkan Arifi.
Ndryshe, kjo është hera e parë që Ministri Limani qëndron krah Komunave Likovë dhe Haraçinë për tu ndihmuar për hapjen e çerdheve, në të kaluarën ai kishte “premtuar” se nuk do të nënshkruante pëlqimet për hapjen e çerdheve për “hatërmbetje” politike. Për nënshkrimin pozitiv kishte reaguar aso kohe kryeministri Mickoski. Kujtojmë, probleme për hapjen e çerdhes ka edhe në Komunën e Çairit, megjithatë këtu, problemet janë me çështjen pronsoro-juridike.