Cënimi i Gjuhës Shqipe! Ali Ahmeti: Prishtina e Tirana ta ngrejnë zërin!

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, mbrëmë nga Negotina e Pollogut të Komunës së Vrapçishtit, ku vazhdon tubimet me qytetarët, u zotua se do të mbrohet gjuha shqipe, kurse pret nga të gjitha partitë shqiptare në vend, por edhe nga Prishtina e Tirana që ta mbrojnë gjuhën shqipe.

Ai i ka quajtur absolutisht të papranueshme, shfuqizimin e përkatësisë etnike, largimin padrejtësisht të shqiptarëve nga institucionet, zhbërjen e të arriturave në të gjitha fushat dhe drejtësinë selektive.

Ali Ahmeti iu bëri thirrje, sic tha, humbësve të zgjedhjeve të mos i legjitimojnë politikat e dëmshme dhe që të mos bëhen pjesë e turpit t’i braktisin institucionet.

“Populli shqiptar do ta mbroj gjuhën shqipe që me gjak e sakrificë është fituar. Shqiptarët nuk do ta tolerojnë këtë. Do t’i bllokojnë rrugët e Maqedonisë së Veriut. Presim që gjatë mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Qeveria e Republikës së Kosovës ta ngris çështjen e gjuhës shqipe. Reagim presim edhe nga të gjitha partitë në Kosovë, siç presim reagim edhe nga Tirana”, deklaroi Ahmeti. 

Ndërkohë, nga koalicioni VLEN, përmes një komunikate kanë njoftuar se Mbledhja e përbashkët ndërqeveritare e së hënës Kosovë-Maqedoni e Veriut do të jetë me vendime historike.

Por, gjatë një interviste për RTK-në, Zv/Kryeministri Izet Mexhiti i është përgjigjur akuzave të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti se qeveria aktuale po rrezikon përdorimin e gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve dhe në përgjithësi Marrëveshjen e Ohrit.

“Po mundohet të krijon një percepcion të gabueshëm. Për balancuesin, për gjuhën shqipe, për çështje tjera, mendoj se nuk cenohen por po avancohen. Nëse ka pasur mekanizëm, tash po punojmë që të ketë ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në administratë”, u shpreh Mexhiti.

Para thuajse një muaji, kreu I BDI-së, Ali Ahmeti, I dërgoi një letër edhe Kryeministrit Mickoski, ku shfaqi shqetësime për vendimet e paradokohshme të Gjykatës Kushtetuese, për shfuqizimin e “balancuesit” dhe paralajmërimeve për heqjen e disa dispozitave nga Ligji për përdorimin e gjuhëve. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share