Reperi i njohur shqiptar, Capital T, ka planifikuar të shënojë një nga momentet më kulminante të karrierës më 11 gusht, duke mbajtur solo-koncertin e tij “Time Capsule II” në Prishtinë.
Lokacioni i përzgjedhur për mbajtjen e këtij koncerti ka qenë Stadiumi “Fadil Vokrri” në kryeqytet, mirëpo për shkaqe teknike koncerti nuk do të mbahet aty.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Instagram, reperi i hitit “Karma” ka bërë të ditur se “Time Capsule II” tashmë do të zhvillohet në parkingun e Pallatit të Rinisë.
Duke iu referuar babait të tij, kryetarit të FFK-së Agim Ademi si ‘shefi’, Capital T ka bërë të ditur se saktësisht ‘shefi’ ia ka ndryshuar planet.
“Thirr shefi në telefon. Duhet me ma lëshu stadiumin. Nuk guxon me ma rreziku, duhet me u largu prej aty. Kështu kur e ke punën primare. Kështu që duhet me dëgju por nuk jemi larg, jemi ngjitur me stadiumin në parking”, ka thënë reperi përgjatë videos.