Bytyqi: Po mbrojmë interesat e shtetit para gjykatave ndërkombëtare

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, në konferencën për shtyp në cilësinë e kryesuesit të trupit koordinues për procedurat e arbitrazhit, e informoi opinionin për dy procedime të reja kundër shtetit.

Zëvendëskryeministri Bytyqi tha se procedura e parë është nga Grupi Amadeus dhe Amadeus Development SHPKNJP për rastin  Shkallët spanjolle, për të cilin është regjistruar një procedurë arbitrazhi kundër Republikës së Maqedonisë së Veriut më 18 gusht të vitit 2023 sipas Rregullave dhe Konventës së Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID).

“Grupi Amadeus kërkon dëmshpërblim për shkeljen e Marrëveshjes Bilaterale për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Ndërsjellë të Investimeve që kemi me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Kërkesat paraprake të paditësit janë që Republika e Maqedonisë së Veriut t’i paguajë dëmshpërblim Grupit Amadeus për gjoja humbjen e pësuar në një shumë që aktualisht vlerësohet në jo më pak se 110 milionë dollarë amerikanë” , tha Fatmir Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi informoi se në njoftimin për fillimin e procedurës së arbitrazhit, Grupi Amadeus ishte përgjegjës kryesor për ndërtimin e një objekti komercial, përfshirë një hotel, në qytetin e Shkupit. Leja kërkonte edhe ndërtimin e një shkalle, e cila njihej si “Shkallët spanjolle”.

“Për publikun bëhet e ditur se projekti “Shkallët spanjolle” tashmë i nënshtrohet ndjekjes penale. Paditësi pretendon se Komuna Qendër gjoja ia ka ndaluar Amadeusit që të fillojë ndërtimin. Përkundër faktit se komuna ka lëshuar miratimin fillestar për ndërtim në korrik të vitit 2015, vendimet e tjera të saj dyshohet se kanë penguar zhvillimin në çdo hap të mëpasshëm. Nga data 23 maj të vitit 2015 deri më 30 shtator të vitit 2015, Komuna gjoja ka vendosur moratorium për ndërtimet. Menjëherë pas kësaj, një vendim i dytë thuhet se ndaloi në mënyrë specifike ndërtimin e hotelit dhe ndërtesës së zyrës Amadeus duke filluar nga 31 dhjetori i vitit 2015” tha Bytyqi duke shtuar se paditësi pretendonte se anulimi i pretenduar i Planit Urbanistik të vitit 2012 ka rezultuar në hyrjen në fuqi të Planit Detal urbanistik për zonën qendrore të qytetit të Shkupit, i cili pretendohet se nuk e ka përfshirë projektin e ndërtimit të Amadeus.

“Në këtë moment, paditësi ka deklaruar vetëm pretendime sipërfaqësore dhe argumente pa prova dhe dokumentacion në mbështetje të pretendimeve të tilla.
Procedura ka filluar disa vite pas shkeljes së pretenduar të kontratës. E gjithë procedura fillon me tenderin e shpallur nga Ministria e Transportit në vitin 2012-2013, ministër i atëhershëm ishte Mile Janakievski”, tha Bytyqi.

Lidhur me procedurën e dytë, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se ajo është iniciuar nga FCL Ambiente më 31 korrik të vitit 2023, në rastin e partnerit privat të deponisë Drislla.

“FCL Ambiente kërkon kompensim nga Tribunali për shkeljet në bazë të Marrëveshjes për Nxitjen e Ndërsjellë dhe Mbrojtjen e Ndërsjellë të Investimeve që kemi me Qeverinë italiane të datës 26 shkurt të vitit 1997 dhe të drejtës ndërkombëtare. Në këtë procedurë, shuma e kërkesave nuk është specifikuar nga paditësi dhe thuhet se do të përcaktohet gjatë procedurës. Siç thuhet në njoftimin për fillimin e procedurës së arbitrazhit, më 21 nëntor të vitit 2011 është shpallur tender nga Qyteti i Shkupit, në shtator të vitit 2012, Qyteti i Shkupit ka nxjerrë Vendim duke zgjedhur FCL Ambiente si partner për investime, menaxhim dhe operim me deponinë Drislla”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi tregoi se më 18 janar të vitit 2013, NP Drislla u bë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, Drislla SHPK në të cilën FCL MK mori 80% të aksioneve në Drislla SHPK, ndërsa Qyteti i Shkupit mori 20%.

“Vendimi për zgjedhjen e një partneri privat në Drislla u kontestua dhe iu nënshtrua disa procedurave para Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Lartë Administrative nga Sholc AG, e cila u rendit e dyta në thirrjen e publikuar nga Qyteti i Shkupit. FCL Ambiente humbi procedurat para Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Lartë Administrative në vitin 2017 dhe 2018, të cilat vendosën që Gjykata të anulojë vendimin për të zgjedhur FCL Ambiente si partner privat për të menaxhuar deponinë. Në vitin 2019 me vendim të Qytetit të Shkupit është anuluar tenderi për partner privat të qytetit për deponinë Drislla. Në vitin 2020, Drislla SHPK u shndërrua sërish në ndërmarrje publike, për të cilën FCL Ambiente nisi procedurën në Gjykatën Administrative, por pa sukses në kontest”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi përkujtoi se këto dy raste zgjuan interesim të madh në opinion dhe të gjithë ishim të njohur me detajet e një pjese të madhe të këtyre procedimeve, për të cilat tashmë ka një procedurë gjyqësore për veprat penale të personave të përfshirë në procedurë, kurse qytetarët ishin qartë dhe zëshëm kundër të dy vendimeve të marra.

Menaxhimi i pandërgjegjshëm, marrëveshjet në katër sy dhe moskujdesi i të mirës publike dhe me vite pas qeverisjes së VMRO-DPMNE-së e ekspozojnë vendin tonë ndaj rreziqeve dhe paratë e qytetarëve tanë, në vend që të përdoren në projekte zhvillimore, do të duhet të përdoren për mbrojtjen e vendit dhe interesave të tij para gjykatave ndërkombëtare”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi tha se janë ndërmarrë veprimet e menjëhershme dhe kanë filluar të gjitha proceset me kohë për të mbrojtur në mënyrë adekuate interesat juridike të shtetit dhe natyrisht të mirave publike, për shkak të mosmarrjes së mundshme veprimet juridike do të nënkuptonin humbjen eventuale të kontesteve të tilla para gjykatave ndërkombëtare, për të cilat ka pasur praktika të tilla në të kaluarën.

“Pikërisht për këtë qëllim, në vitin 2017 është themeluar një organ koordinues për monitorimin e procedurave të arbitrazhit, të dala nga marrëveshjet ndërkombëtare, me të cilin unë kryesoj, dhe në të marrin pjesë ministrat e ekonomisë, financave dhe drejtësisë, si dhe avokati shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Detyra e këtij organi është të ofrojë një qasje koordinuese për çështjet që lidhen me monitorimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që zhvillohen ose do të zhvillohen përpara arbitrazheve ndërkombëtare të dakorduara. Ndërsa detyrat e trupit koordinues nuk përjashtojnë kompetencën e institucioneve që përfshihen në procedura”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se këto janë procese gjyqësore në vazhdim e sipër dhe për këtë nuk ka mundur të japë më shumë informata për të mbrojtur procesin ligjor, por siguroi opinionin se do të njoftohen kur të ketë lajme, sepse këto janë proceset me interes publik.

Procedurat e arbitrazhit që zhvillohen kundër shtetit, të cilat koordinohen nga organi i procedurës së arbitrazhit, aktualisht kapin vlerën e 1.365.000.000 euro. Të gjitha procedurat janë për periudhën para vitit 2017, kur kanë ndodhur shkeljet e pretenduara të marrëveshjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e investimeve.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share