Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për Çështje Ekonomike, Koordinim me Resorët Ekonomikë dhe Investimet, Fatmir Bytyqi, në kuadër të vizitave të tij në kompanitë nga Rajoni i Shkupit që janë në portofolin e Ligjit për Ndihmë Financiare për Investime, vizitoi Burdem Pllastik, një kompani familjare e themeluar në vitin 2002, e cila merret me prodhimin e produkteve shtëpiake nga plastika.
Në deklaratën e tij, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se gjatë vizitës në linjat prodhuese të kompanisë ka parë investime intensive në modernizimin e pajisjeve.
Jam i lumtur që shoh se ndihma financiare e Qeverisë për këtë kompani ka kontribuar në pasurimin e linjës së produkteve me shumë artikuj të rinj dhe me modele të fundit të produkteve plastike.
Përmes marrëveshjes për mbështetje financiare për periudhën 2018-2022, për masat rritje e investimeve kapitale dhe rritje e konkurrencës në treg, kompanisë Burdem Plastik i janë paguar mbi 2 milionë e 400 mijë denarë për një investim prej mbi 15 milionë denarë”, tha Bytyqi.
Zëvendëskryeministri Bytyqi shtoi se ky është edhe synimi i Planit të Rritjes Ekonomike të vendosur në vitin 2017, për të zhvilluar kompanitë vendore, për t’i bërë ato konkurruese në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, ndërsa ato do të përgjigjen duke hapur vende të reja pune për qytetarët tanë.
“Vetëm në Rajonin e Shkupit janë përkrahur 181 kompani dhe kanë marrë rreth 1 miliard e 200 milionë denarë ndihmë financiare për ciklet e tyre investuese”, tha Bytyqi.
Sead Sulejmani, menaxher i kompanisë, në deklaratën e tij është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë, e cila ka njohur cilësinë e kompanisë së tyre.
“Ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë dhe vlerësojmë përpjekjet e tyre për të mbështetur bizneset familjare si ky i yni dhe i inkurajojmë që të vazhdojnë edhe më shumë në këtë drejtim”, tha Sulejmani.