Bytyqi: Mbështetja financiare e Qeverisë për kompanitë rrit numrin e të punësuarve dhe kontribuon për paga dinjitoze

Mbështetja financiare e Qeverisë do të thotë shumë për kompanitë, rrit numrin e vendeve të punës dhe përmirëson gjendjen materiale të kompanive dhe në këtë mënyrë edhe të vetë të punësuarve.

Ky është mesazhi që iu drejtua zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqit gjatë vizitës së tij në kompaninë Ruse Komerc në Gjevgjeli, ku ishte i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikolovski.

Zëvendëskryeministri Bytyqi në deklaratën e tij tha se kompania Ruse Komerc është një kompani nga industria ushqimore të cilën Qeveria e mbështet financiarisht përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve me kontratë të nënshkruar për një projekt investues 2020-2024.

“Po e mbështesim financiarisht në kuadër të masave për investime kapitale dhe konkurrueshmëri në treg, për të cilat Ruse Komerc është paraparë të investojë 88 milionë denarë deri në fund të Projektit investues. Qeveria nga viti 2022 i ka paguar rreth 3,5 milionë denarë ndihmë financiare”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi shtoi se përmes LMFI, ne i bëjmë kompanitë tona më konkurruese dhe më të zhvilluara, sepse vetëm kështu mund të sigurojnë paga dinjitoze për të punësuarit e tyre.

“Punëtorët janë forca e ekonomisë sonë dhe e gjithë shoqërisë, ndaj Qeveria, përveç përmes LMFI-së, është kujdesur që në pakon e re të masave kundër krizës të fusë edhe një masë për paga dinjitoze në sektorin privat. Ne kemi ofruar mbështetje financiare për subvencionimin e kontributeve të punëtorëve të rinj dhe ekzistues, për rritjen e pagave të punëtorëve nga 3.000 – 9.000 denarë”, tha Bytyqi.

Pronari i kompanisë, Dimitar Rusev, falënderoi Qeverinë dhe zëvendëskryeministrin për mbështetjen financiare që i mundësoi kompanisë të përfundojë investimin, fillimisht me sallën e ndërtuar dhe makineritë e porositura dhe inkurajoi zëvendëskryeministrin që të vazhdojë ndihmën financiare përmes LMFI.

“Mbështetja është e madhe, nga kjo mbështetje do të përfitojnë të gjitha kompanitë për çdo degë prodhimi. Kjo jo vetëm që rrit numrin e vendeve të punës, por edhe përmirëson gjendjen materiale jo vetëm të kompanive por edhe të të punësuarve dhe në përgjithësi në vend”, tha Rusev.

Nga ana tjetër, Qeveria deri më tani ka mbështetur 919 kompani vendore për ciklet e tyre investuese me investime të realizuara prej 500 milionë euro, të mbështetura me 100 milionë euro.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share