Bytyqi: Marrëveshja e Prespës theu barrierat, krijoi një trajektore pozitive për zhvillimin ekonomik

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, mbajti fjalim në panelin e diskutimit “Trasimi i rrugës drejt prosperitetit: Strategjitë EcoFin për rritje në Ballkanin Perëndimor”, në kuadër të Forumit të Prespës për dialog 2023, i cili këtë vit po mbahet në Strugë nën kujdesin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe përkon me pesë vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës.

Në vijim ju dërgojmë fjalimin e tij integral:

Të nderuar, kam nderin të flas për temën e këtij sesioni – “Trasimi i rrugës drejt prosperitetit: Strategjitë EcoFin për rritje në Ballkanin Perëndimor”, për mua, kjo pasqyron gjithë kompleksitetin, ndërvarësinë, rritjen, mençurinë dhe përgjegjësinë kolektive.

Është e rëndësishme të тхеми se nuk ka prosperitet në izolim, ka vetëm lakmi dhe kokëfortësi. Pikërisht për atë që bëmë 5 vjet më parë, sot jemi mbledhur këtu në këtë Forumit të Prespës për dialog, për të festuar, por edhe për të kujtuar postulatet për përparim dhe prosperitet.

Marrëveshja e Prespës hapi një kapitull të ri në rajon, duke i hapur rrugën prosperitetit dhe stabilitetit. Përveç avancimit të marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, ajo gjithashtu inkurajoi rritjen ekonomike dhe promovoi nismat ndërkufitare midis dy vendeve… Për më tepër, Marrëveshja e Prespës pati një efekt domino në rajonin më të gjerë të Ballkanit.

Marrëveshja e Prespës hapi rrugën drejt prosperitetit duke hequr barrierat, duke inkurajuar bashkëpunimin dhe duke frymëzuar popujt tjerë. Krijoi një trajektore pozitive për zhvillimin ekonomik, stabilitetin politik dhe integrimin rajonal, duke sjellë përfitime të përhershme për Greqinë, Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Po ky rajon që tani po hap rrugën e tij drejt prosperitetit duke iu bashkuar BE-së dhe duke harmonizuar politikat tona EcoFin me standardet e BE-së, ne duhet të ndërmarrim disa hapa konkretë, si p.sh.

– Forcimi i kornizës institucionale, duke krijuar institucione të fuqishme dhe transparente që do të sigurojnë qeverisje efektive.

– Zbatimi i reformave strukturore të ekonomive për të përmirësuar konkurrueshmërinë. Kjo përfshin dhe qasjen në tregje dhe integrimin rajonal të ekonomive, qasjen në zinxhirë të zgjeruar të furnizimit dhe lidhjen e ngushtë.

– Miratimi i politikave të shëndosha fiskale, përfshirë dhe reduktimin e deficitit buxhetor, menaxhimin efikas të financave publike dhe promovimin e disiplinës fiskale.

– Harmonizimi i legjislacionit me BE-në

– dhe përmirësimi i sektorëve financiarë

Duke folur për integrimin në Bashkimin Evropian, kryetarja Ursula von der Lajen prezantoi një plan gjithëpërfshirës prej 4 shtylla për afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në. Ky plan strategjik përfshin një sërë iniciativash të dizajnuara për t’u marrë me sfidat kryesore dhe për të forcuar lidhjet midis rajonit dhe BE-së.

Plani është ndërtuar mbi 4 shtylla të rëndësishme – afrimi i Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët të BE-së, thellimi i integrimit ekonomik rajonal, përshpejtimi i reformave bazë dhe rritja e fondeve paraqasëse në BB.

Ky plan përcakton një iniciativë të qartë të strukturuar për përparimin e rajonit drejt integrimit në BE. Ai ofron një kornizë perspektive për promovimin e stabilitetit, bashkëpunimit dhe prosperitetit të përbashkët në Ballkanin Perëndimor.

Të nderuar,

Kjo rrugë që çon drejt prosperitetit të BE-së ka kompleksitet, ndërvarësi, rritje, mençuri dhe përgjegjësi kolektive. Duke qenë se Marrëveshja e Prespës ka rëndësi në kuadër të integrimeve evropiane dhe ideologjisë bazë të Bashkimit Evropian, baza e saj është pikërisht në Bashkimin Evropian, i cili është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit, paqes dhe arritjes së qëllimeve të përbashkëta. Duke gjetur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht, marrëveshja pasqyron përkushtimin e BE-së për paqen dhe stabilitetin rajonal.

E gjithë kjo më bën optimist pragmatik se rruga jonë që kemi përpara do të jetë prosperuese.

Individualisht, jemi vende të vogla me aspirata të mëdha, por së bashku jemi një rajon i madh me prosperitet edhe më të madh. Çelësi i madhështisë është përmes forcave të përbashkëta!

Unë besoj fort se vetëm përmes konkurrueshmërisë rajonale mund të krijojmë një rajon elastik dhe prosperues që do të jetë i adaptueshëm ndaj sfidave të hyrjes në tregun e madh të BE-së, deri në integrimin e tij të plotë

Lexo gjithashtu
Total
0
Share