Bytyqi: I ndihmojmë financiarisht kompanitë vendore që të bëhen marka të njohura ndërkombëtarisht

Makprogres nga Vinica është treguesi i vërtetë se Ligji për Mbështetjen Financiare të Kompanive është një goditje e vërtetë, veçanërisht në fushën e mbështetjes për zhvillim dhe hulumtim, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi sot ka vizituar kompaninë Makprogres në Vinicë, aktivitet primar i së cilës është prodhimi i produkteve të ëmbëlsirave, të mbështetur përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve (LMFI).

“Makprogress, me 523 punonjës, sot konsiderohet si një nga prodhuesit kryesorë të produkteve të ëmbëlsirave në Evropën Juglindore, i cili përveç prodhimit ka edhe një qendër trajnimi, për kërkime dhe zhvillim, si dhe laboratorë për analiza me senzorë dhe paketim kreativ. Makprogress eksporton në 55 shtete të botës dhe në listën e certifikatave është edhe certifikata Hallall, e cila është vizë për eksportin e produkteve të ëmbëlsirave në vendet islame”, tha Fatmir Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi informoi se Qeveria ka nënshkruar marrëveshje me Makprogres për Mbështetje Financiare të Investimeve për ciklin katërvjeçar 2018-2021, përmes së cilës kësaj kompanie, e cila ka hyrë në një investim prej gati 215 milionë denarë, i janë paguar rreth 37,5 milionë denarë ndihmë shtetërore, nga të cilat mbi 14 milionë denarë për zhvillime teknologjike dhe kërkimore.

“I gëzohem suksesit të kompanive vendore, siç është shembulli i kompanisë Makprogress, e cila krijon mundësi për punësim dhe zhvillim të aftësive në të mirë të të rinjve në këtë rajon. Kjo është një nga arsyet e prezantimit të Planit të Rritjes Ekonomike të vendosur në vitin 2017, përmes të cilit Qeveria është në rrugën e duhur për të siguruar rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë, por edhe zhvillimin e balancuar”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se vetëm në Rajonin Planor Lindor në vitin 2022 kemi përkrahur 57 kompani, me mbështetjen e përgjithshme financiare të paguar mbi 205 milionë denarë dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të mbështesim kompanitë vendore për futjen e inovacioneve dhe konkurrueshmëri më të madhe në tregjet ndërkombëtare, sepse kështu i zhvillojmë për punëtorët e tyre.

Në deklaratën e tij, pronari i Makprogress, Gligor Cvetanov, falënderoi për ndihmën financiare dhe tha se në qendrën hulumtuese të rinjtë do të mund të mësojnë aftësi të reja.

“Kemi prezantuar planin tonë për investimet e mëparshme në tetë vitet e fundit, të cilat kanë tejkaluar një investim prej 16 milionë euro, por edhe planin e ri zhvillimor të kompanisë, e cila planifikon të investojë edhe më shumë fonde në zhvillimin e kapaciteteve të reja dhe produkteve të reja inovative deri në vitin 2030. Presim mbështetje nga Qeveria, veçanërisht në pjesën e LMFI-së, e cila do të jetë një motiv plus për të hyrë në cikle të reja investuese”, tha Cvetanov./KlanMacedonia


Lexo gjithashtu
Total
0
Share