“Miratimi i amendamenteve kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke mundësuar kështu vazhdimin e rrugës integruese evropiane të vendit tonë, nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje e ndryshimeve strukturore ekonomike që duhet të sjellin një sërë të përfitimeve të përhershme si për ekonominë tonë, por edhe për qytetarët”, në faqen e tij në Facebook shkruan zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi.
Ai thekson se realizimi i përcaktimit strategjik të 80% të qytetarëve të vendit për anëtarësim në BE është gjëja më e rëndësishme që do të nënkuptojë standard më të lartë jetese dhe fuqi më të madhe blerëse për ta.
“Një nga përfitimet më të mëdha me të cilat përballet vendi ynë është krijimi i kushteve reale për rritje të madhe të pagave, të cilat në vende të caktuara në pesë vitet e para pas anëtarësimit në BE varionin nga mbi 50 për qind në 100 për qind. Ky do të jetë një përfitim i drejtpërdrejtë për fuqinë blerëse të qytetarëve, për buxhetin dhe standardin e tyre familjar të jetesës.
BE-ja është partneri ynë më i madh ekonomik, ekonomia jonë është e lidhur organikisht me atë evropiane, 77.5% e eksporteve përfundojnë në një nga 27 shtetet anëtare, ndërsa 51% e importeve vijnë nga atje. Kjo do të thotë se kompanitë vendase krijojnë vlerë shtesë ekonomike, krijojnë dhe mbajnë vende pune për bashkëqytetarët tanë përmes bashkëpunimit afarist me kompanitë evropiane, respektivisht baza e rritjes dhe zhvillimit të tyre qëndron në themelet tregtare evropiane.”, shkruan zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Bytyqi.
Në postimin e tij në Facebook, ai thekson se me anëtarësimin e plotë në BE, ekonomia jonë do të hapë dyert për tregun e vetëm evropian prej 500 milionë konsumatorësh, gjë që gjithashtu do të forcojë perspektivat tregtare dhe potencialet për arritjen e ritmeve të qëndrueshme të rritjes së PBB-së.
“Përvoja e vendeve të tjera tregon se në pesë vitet e para të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ritmet e rritjes së PBB-së rriten nga 80 në 90 për qind. Tregtia e thjeshtësuar do të rrisë mundësitë e eksportit, do të krijojë kushte biznesi për të ulur kostot dhe për të rritur efikasitetin e kompanive vendase.
Lëvizja e lirë e fuqisë punëtore brenda Zonës Ekonomike Evropiane do t’u lejojë kompanive të kenë qasje në burime të reja njerëzore, me talente të zhvilluara dhe njohuri të avancuara, të cilat do të jenë një mbështetje e fortë për të rritur përshtatshmërinë e tyre ndaj kërkesave të tregut në ndryshim.”, shkruan Bytyqi.
Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Bytyqi përkujton se BE-ja është mbështetësi ynë financiar, donatori dhe kreditori më i madh në të gjitha fushat, na ndihmon në evropianizimin e modelit të biznesit maqedonas.
“Vetëm në procesin e integrimit evropian të vendit deri më tani, nëpërmjet programit IPA, janë investuar rreth 1 miliardë euro për modernizimin dhe zhvillimin e infrastrukturës, e cila është e një rëndësie jetike për zhvillimin e biznesit në vend. Por nuk është e gjitha, burimet financiare prej 243 milionë euro janë parashikuar përmes programit IPA 3. Programi IPARD 2 na vuri në dispozicion 60 milionë euro, nga të cilat kishim një shfrytëzim rekord prej 98 për qind, prandaj në IPARD 3 të pakthyeshme na vihen në dispozicion 97 milionë euro për avancimin e bujqësisë sonë.
Partneriteti me BE-në për vendin tonë nënkuptonte edhe një grant prej 80 milionë euro për përballimin e krizës energjetike, 100 milionë euro ndihmë makroekonomike dhe 160 milionë euro për zbutjen e pasojave ekonomike të pandemisë”, shkruan Bytyqi.
Ai thekson se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë së vendit tonë dhe krijojnë rreth 80% të vendeve të punës dhe BE-ja ndihmon në ndërtimin dhe ruajtjen e përfitimit të tyre. Vetëm përmes Programit për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme për qasje në tregjet e BE-së përmes konkurrencës së avancuar, 36 milionë euro janë në dispozicion të kompanive për të rritur kapacitetet e tyre konkurruese.
“Me përshpejtimin e proceseve integruese evropiane dhe finalizimin e tyre me anëtarësim të plotë, mbështetja direkte për ekonominë do të vazhdojë dhe do të jetë shumë më e lartë. Programe dhe fonde të reja do të jenë në dispozicion të shtetit dhe ekonomisë, të cilat mund të jenë 11 herë më të larta se fondet dhe programet në dispozicion të vendeve kandidate për anëtarësim të plotë.
Nuk duhet të humbasim këto mundësi historike që janë përballë ekonomisë sonë. Nuk ka asnjë perspektivë apo alternativë tjetër realiste që do të vendosë baza afatgjata dhe të qëndrueshme për ekonominë tonë për të arritur rritje të përshpejtuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë, rritje të konkurrueshmërisë së kompanive dhe një standard më të lartë jetese për qytetarët”, thuhet në postimin në Facebook të zëvendëskryeministrit për çështjet ekonomike, Fatmir Bytyqi.