Burgosen shqiptarët, u kapën me 200 mijë Paund drogë

Një bandë shqiptarësh janë dënuar me burg për shpërndarje droge. Ata operacionin në Essex-in jugor dhe gjatë një aksioni policor u kapën me kokainë dhe kanabis me vlerë 200 mijë Paund, një sasi parash cash dhe një armë zjarri.

Aksioni i policisë u shtri në disa adresa të ndryshme në Basildon më 27 Korrik të vitit të kaluar. Banda njihej me emrin “Shqiptarët”.

4 persona ranë në pranga. Sipas asaj që shkruajnë mediat, Mario Corrit, Alfonc Palajt, Dennis Hojit dhe Klodjan Docit iu gjetën 1.4 kilogramë kokainë dhe 22 kilogramë kanabis.

Të martën, 27-vjeçari Corri u dënua me 11 vite e 4 muaj burg, ndërsa 23-vjeçari Palaj, me 5 vite e 10 muaj heqje lirie. Në Shtator gjykata dha dënimet për Docin dhe Dennis Hojin, i pari me 3 vite e 3 muaj burg ndërsa i dyti me 3 vjet e 5 muaj burg.

“Kjo bandë mbushi Basildon me drogë të klasit A. Droga është një plagë për shoqërinë, duke shkatërruar jetë dhe komunitete. Aty ku shitet drogë, shpesh ka dhunë dhe shfrytëzim i njerëzve të pambrojtur. Ne do të vazhdojmë punën që të vendosim pas hekurave të burgut dhe të largojmë helmin që ata hedhin në rrugë”, u shpreh një oficer policie i cili udhëhoqi hetimin.

Agjentët e policisë ishin vënë në ndjekje të grupit pas sekuestrimit të një celulari si pjesë e hetimit të një çështje tjetër. Aty u gjet lidhja dhe bisedat ku flitej për një shitje droge./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share