Bullgaria planifikon hakmarrje për veton Holandeze

RUTE OPTIMIST PËR PËRPARIM DREJT ZONËS SHENGEN DERI NË VITIN E ARDHSHËM

Derisa liderët e Bashkimit Evropian në samitin në Tiranë kërkojnë mënyra për marrëdhënie më të afërta me Ballkanin Perëndimor, Bullgaria – anëtare e klubit e cila me veto e anuloi fillimin e negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë, kërcënohet me kundërmasa kundër Holandës dhe Austrisë të cilat e kundërshtojnë kyçjen e Sofjes në zonën Shengen. Kryeministri teknik Galab Donev megjithatë ka shprehur optimizëm se do të “mbizotërojë logjika” në ditët e ardhshme kur pritet votimi kyç.

Kancelari austriak Karl Nehamer, gjatë samitit në Tiranë deklaroi se vendi i tij është kundër kyçjes së Bullgarisë dhe të Rumanisë në zonën Shengen.

“Nuk ka miratim nga Austria për zgjidhje me Bullgarinë dhe me Rumaninë. Është e domosdoshme më shumë kohë. Në Austri kemi 75 mijë emigrantë ilegalë të paregjistruar. Kjo do të thotë se ata e kanë kaluar kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe kanë mbërritur në Austri, e cila është shtet i brendshëm” – tha Karl Nehamer, Austri.

Para pak koësh misioni i ekspertëve të Bashkimit Evropian erdhi në përfundimin se Bullgaria, Rumania dhe Kroacia janë gati për kyçje në zonën Shengen, por e para reagoi Holanda, me veto për Sofjen. Pas shokut në Bullgari dhe sugjerimeve për kundërmasa, Kryeministri teknik Galab Donev dje ka lënë hapësirë për optimizëm.

“Qeveria do të vazhdojë në mënyrë aktive të bashkëpunojë me partnerët. Bullgaria ende nuk ka hequr dorë nga zona Shengen, kemi edhe tri ditë. Dyshojmë se bëhet fjalë për standarde të dyfishta, posaçërisht në Holandë” – tha Galab Donev, kryeministër në Bullgari.

Edhe Kryeministri holandez Mark Rute, i cili sot është në mesin e liderëve evropiane në samitin në Tiranë, si afat të mundshëm për kyçjen e Bullgarisë e ka përmendur “vitin e ardhshëm”.

“Në këtë moment ende nuk është “jo” për Bullgarinë. Do të nevojitet më shumë kohë për dy arsye: vlerësim i ri nga Mekanizmi për bashkëpunim dhe verifikim, por edhe nga Mekanzimi për verifikimin Shengen. Kam biseduar me Presidentin Rumen Radev dhe jam optimist se gjatë vitit të ardhshëm mund të bëjmë një hap përpara” – tha Mark Rute.

Jozyrtarisht, sipas mediave evropiane, në qoftë se Holanda nuk e tërheq  veton, Bullgaria do ta bllokojë kandidaturën e Hans Leijtens për shef të Fronteksit. Sipas burimeve qeveritare në Sofje ky kërcënim është shumë real me qëllim që të shkaktojë reagim nga vendet tjera anëtare të BE-së. /KlanMacedonia/

PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share