KOALICIONET E ISH-KRYEMINISTRAVE BORISOV DHE PETKOV ME MË SHUMË DEPUTETË
Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, për të mërkurën më 12 Prill ka thirrur seancën e parë të Parlamentit të 49-të Popullor bullgar. Pas zgjedhjeve të 2 Prillit dhe publikimit të rezultateve përfundimtare, Radevi ka nënshkruar dekretin për të thirrur seancën inaugurative, njofton KlanM.
Në përbërjen e re të parlamentit bullgar, që numëron 240 anëtarë, më shumë deputetë do të ketë koalicioni që udhëhiqet nga ish-Kryeministri Bojko Borisov GERB – SDS, gjithsejt 69.
Pesë më pak apo 64, sic percjell KlanM, do të ketë koalicioni I ish-Kryeministrit tjetër, Kirl Petkov, “Vazhdojmë me ndryshimet – Bullgaria Demokratike”.
Forca e tretë politike në parlamentin bullgar do të jetë partia nacionaliste “Rilindja” me 37 deputetë. Një më pak – 36 fitoi Lëvizja turke për të drejta dhe liri.
Partia Socialiste bullgare do të ketë 23 deputetë, kurse “Ka një popull të tillë” i Sllavi Trifonovit – 11 deputetë.
Zgjedhjet e 2 Prillit të këtij viti, sic njofton KlanM, ishin të pestat në periudhë prej dy viteve, pasi paraprakisht asnjë parti nuk arriti të formojë koalicionin dhe qeverinë stabile.
Tani, të parët që do të përpiqen ta bëjnë këtë, do të jetë koalicioni I ish-Kryeministrit Bojko Borisov. Në prag të zgjedhjeve, anketat tregonin se mbi 48% e qytetarëve bullgar mbështesin që dy partitë e para të formojnë qeverinë, por sipas të gjitha gjasave kjo nuk do të ndodh, duke marrë parasysh se koalicioni i ish-Kryeministrit, Kiril Petkov, ka deklaruar se nuk do të mbështesë qeverinë nëse në të gjendet partia e Borisovit.
Nëse GERB nuk arrin të formojë qeverinë, partia e ish-Kryeministrit Petkov paralajmëroi se do ta propozojnë kabinetin e tyre qeveritar.