Fermerët kanë gjetur mënyrën më të re të shitjes së produkteve të tyre në rrjetet sociale, online thotë se është mënyra më e lehtë dhe më efikase për të shitur produktet bujqësore.
Kriza ekonomike ka detyruar bujqit dhe blegtorët në Maqedoninë e Veriut të bëjnë gjithçka për të gjetur tregje të reja, përfshirë edhe porosi nëpërmjet internetit.
Marjan Spasevski këtë vit prodhimin e kungullit e shet online, në një grup në rrjetet sociale ka shpërndarë një fotografi me mbishkrimin kungull në shitje, çmimi sipas marrëveshjes dhe numri i telefonit.
Marjani thotë se kjo mënyrë e shitjes është më e lehtë dhe më efikase.
“Arsyeja është se nuk kemi kohë të dalim në treg, jemi në punë dhe kjo lloj shitjeje është më efikase, çmimi online është pak më i lirë sepse nuk ka harxhime shtesë” – deklaroi Marjan Spasevski, shitës online.
Përveç Marjanit që shet kunguj, në grupet e fermerëve mund të gjesh qumësht dhie, gështenja, patate dhe shumë produkte tjera ushqimore me çmime më të lira se në tregjet dhe marketet.
Sejfi Imeri, shitësi online i patates, thotë se çmimi online është më i lirë sepse nuk ka harxhime shtesë dhe se kjo është mënyra më e lehtë për të shitur produktin.
“Kemi zgjedhur të shesim patatet online për shkak të kushteve ekonomike, sepse shitja në treg është më e shtrenjtë për ne, duhet të paguajmë tezgën dhe mendoj se është më mirë online dhe ka më shumë të interesuar online” – tha Sejfi Imeri, shitës online.
Edhe Shpendimi, shitës gështenjash, kishte zgjedhur ta shiste prodhimin e tij në këtë menyrë.
”Po, ne kemi zgjedhur këtë mënyrë sepse gjithçka shitet online dhe kështu i gjen më shpejt”
– A mund ta shesësh të gjithë prodhimin online?
”Po, gjithçka është shitur dhe do të shitet” – tha Shpendim Imeri.
Ligji për bujqësi dhe zhvillim rural thotë se shitja e produkteve bujqësore mund të bëhet drejtpërdrejt nga njësia bujqësore, në tregje, por edhe përmes internetit. Shitja në këtë rast mund të kryhet nga shoqëritë tregtare, kooperativat bujqësore dhe organizatat e prodhuesve. /KlanMacedonia/
Gazetar: Avni Tahiri