Brukseli refuzon Milatoviçin

KE nuk pranon kërkesat e presidentit malazez

Presidenti malazez Milatoviç kishte kërkuar më tepër kohë për të realizuar detyrat e shtëpisë por KE ka refuzuar të shtyjë përtej muajit tetor publikimin e progres raporteve.

Milatoviç e kishte arsyetuar kërkesën me vonesat në krijimin e qeverisë së re.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Zoi Muletije, tha se raportet e progresit do te miratohen në tetor dhe se data e saktë do të shpallet më vonë.

“Aktualisht Komisioni Evropian është duke punuar në raportet vjetore të zgjerimit, të cilat për herë të parë mbulojnë dhjetë shtete. Ne presim t’i miratojmë raportet në tetor. Data e saktë do të shpallet më vonë. Vonesa e prezantimit të raportit do të ishte rast i paprecedentë. Raporti vjetor i progresit shërben për ti vlerësuar së bashku sesi shtetet kandidate dhe aspirante për anëtarësim po përparojnë individualisht, por edhe për të bërë një krahasim mes arritjeve të tyre.”

Pothuajse një muaj më parë, në vizitën e tij në Bruksel, Millatoviç deklaroi se do ta kërkonte kohë për t’i dhënë më shumë mundësi qeverisë dhe parlamentit të ri për të arritur rezultate që të përfundojnë reformat kyçe.

Ai kërkoi një shtyrje për vetëm disa javë, në mënyrë që autoritetet e reja ekzekutive dhe legjislative të mund t’i referohen teknikisht pjesë të raportit”.

Ndërsa priste raportin vjetor, Mali i Zi mori një non-paper nga KE në fund të Qershorit mbi gjendjen e shtetit të së drejtës.

Në atë dokument, i cili mbulon ngjarjet nga Qershori i vitit të kaluar deri në Mars të këtij viti, shkruhet se Mali i Zi ka humbur fokusin në reformat kyçe të BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, që i gjithë sistemi gjyqësor është ende duke u përballur me një krizë të thellë institucionale.

Në 11 vjet negociata me BE-në, Mali i Zi ka hapur 33 kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm tre.

Përveç Malit të Zi, KE po përgatit raportet vjetore për shtatë kandidatë të tjerë për anëtarësim, Bosnjë dhe Hercegovinën, Moldavinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Serbinë, Turqinë dhe Ukrainën, dhe dy kandidatë të mundshëm, Gjeorgjinë dhe Kosovën.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share