MELONI: SHPRESOJMË TË HEDHIM NJË HAP PËRPARA
Liderët e Bashkimit Evropian kanë biseduar në Bruksel, në takime të ndara me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Kurti dhe Vuçiqi ndaras janë takuar me Kancelarin gjerman, Olaf Sholc, presidentin francez, Emanuel Macron dhe kryeministren italiane, Xhorxha Meloni.
Në takim kanë marrë pjesë edhe Presidenti I Këshillit Evropian, Sharl Mishel dhe Shefi I politikës së jashtme të BE-së, Zhozep Borrell.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka qenë e para nga liderët europianë, që është prononcuar në fillim të samitit europian mbi takimin e zhvilluar, përcjellë KlanM. Meloni, është shprehur, që shpreson të hidhen një hap përpara gjatë ditës së sotme.
“Ne u angazhuam mbi një tjetër skenar kritik sot, që është situata mdiis Kosovës dhe Serbisë. Jemi duke kërkuar një zgjidhje mbi bazën e një pune shumë të gjatë që është bërë nga Italia, Franca, Gjermania dhe BE-ja. Jemi duke u përpjekur që të hedhim hapa përpara. U kemi kërkuar të dyja palëve që të bëjnë progres lidhur me zbatimin e marrëveshjeve dhe dokumenteve që kemi përpiluar vitet e fundit dhe muajt e fundit. Të shohim, se si do ecin zhvillimet gjatë ditës. Shpresojmë, që të hedhim një hap përpara”, tha Xhorxhia Meloni.
Paraprakisht zëdhënësi I BE-së, Piter Stano, deklaroi se takimet e ndara janë vazhdim I procesit që nisi fundjavën e kaluar kur diplomatët perëndimor të “pesëshes së madhe” vizituan Prishtinën dhe Beogradin.
“Ideja është që këto takime të mbahen në margjinat e Samitit të BE-së, në shenjë mbështetje për dialogun. Mesazhi i BE-së është se presim nga Serbia dhe Kosova, menjëherë t`u kthehen obligimeve që dalin nga dialogu, menjëherë të nisin të punojnë për të ulur tensionet dhe të rifillojë dialogu”, tha Peter Stano.
Këshilltarët e liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë së bashku me përfaqësuesin e posacëm të BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd, Miroslav Lajcak dhe emisarin amerikan, Gabriel Eskobar, ishin pjesë e të ashtuquajturës “pesëshe e madhe” që vizituan Prishtinën dhe Beogradin duke prezantuar një plan për normalizimin e marrëdhënieve./KlanMacedonia