Rrallë herë një vend ballkanik mund të ketë organizuar një pritje kaq impresionuese në Bruksel si ajo e organizuar me rastin e festës së pavarërisë së Maqedonisë së Veriut, njofton korespodentja e Tv Klan nga Brukseli, Erisa Zykaj.
Bukuria e kështjellës së Sainte Ane, frymëmarrja që ofron kopshtit i saj dhe muzika e ëmbël e duetit të instrumentistëve ofroi një elegancë të hasur vetëm në nivelin e pritjeve të organizuara nga shteteve anëtare të Bashkimit Europian.
Ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani tregoi që mesazhi politik përçohet siç duhet kur ai gërshetohet me forcën e imazhit.
Përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Europian dhe NATO-s dëgjuan fjalimin e ministrit, ku mesazh kyç ishte integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor:
“Liderët europianë i janë përgjigjur thirrjes sonë për më shumë integrim para anëtarësimit. Ne kemi promovuar këtë ide që prej një viti dhe kjo ide mbështetet tani nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen dhe presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social, Oliver Röpke, prezent me ne këtu. Presidenti i Këshillit Europian përcaktoi 2030 si vitin ku ne synojmë të arrijmë konvergimin midis aspiratave të vendeve në rrugën e anëtarësimit dhe reformave të brendshme të Bashkimit Europian. Ne nuk kemi luksin e kohës. Ne duhet të ofrojmë përfitime të prekshme për qytetarët. Qytetarët tanë duhet t’i shohin përfitimet e integrimit para anëtarësimit” – është shprehur ministri Bujari.
Ky mesazh vjen në një moment kyç të angazhimit të institucioneve europiane për përshpejtim të procesit të integrimit, si dhe për integrimin gradual të vendeve aspirante në Bashkimin Europian para anëtarësimit të plotë. Mesazhi vjen gjithashtu para finalizimit të procesit të screening të parashikuar për muajin nëntor, që vijon me hapjen konkrete të negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në BE./Erisa Zykaj, Tv Klan Bruksel