Britania e Madhe ka marrë vendim që të pezullojë 30 nga 350 licencat e saj të eksportit të armëve me Izraelin, sepse sipas tyre ekziston rreziku që pajisje të tilla të përdoreshin për të kryer shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar, tha të hënën ministri i Jashtëm britanik, David Lammy.
Lammy tha se vendimi për të pezulluar licencat nuk përbënte një ndalim të përgjithshëm ose një embargo armësh, por përfshinte vetëm ato që mund të përdoren në konfliktin e vazhdueshëm midis Izraelit dhe Hamasit në enklavën palestineze të Gazës, raporton Reuters.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu e quajti vendimin si “të turpshëm’’, transmeton gazeta online Reporteri.net
Në një seri postimesh të publikuara në rrjetet sociale, Netanyahu ka thënë se ndalimi i pjesshëm i këtyre armëve nuk do të ndikojë në ‘’përcaktimin’’ e vendit të tij.
“Në vend që të qëndrojë me Israelin, një shok demokracie që mbron vetën nga barbarizmi, vendimi i gabuar i Britanisë vetëm se do të inkurajojë Hamasin,’’ ka thënë ai.
Netanyahu ka thënë se “me apo pa armët e Britanisë, Izraeli do ta fitojë luftën”.
“Me apo pa armët e Britanisë, Izraeli do ta fitoj këtë luftë dhe do ta siguroj të ardhmen tonë të përbashkët”, ka shtuar Netanyahu.
Kujtojmë se menjëherë pasi Partia Laburiste fitoi zgjedhjet në korrik, Ministri Lammy tha se do të rishikonte vendimin mbi shitjet e armëve ndaj aleatit të Britanisë, Izraelit, për të siguruar që këto të jenë në përputhje me ligjin ndërkombëtar. /Reporteri.net/