Rritet me 29% borxhi i kreditorëve ndaj bankave
Rritja e papunësisë dhe e normave të interesit nga bankat ka bërë që shumë britanikë të mbeten pas me pagimin e kësteve të kredisë të marra për blerjen e shtëpive.
Një raport i publikuar nga Banka e Anglisë konstaton se shkalla e kredive hipotekore me vonesa në Mbretërinë e Bashkuar u rrit me 13 përqind në tremujorin e dytë të këtij viti për të arritur nivelin më të lartë që nga viti 2016.
Sipas Bankës së Anglisë, gjatë periudhës Prill – Qershor, vlera e borxheve të kredive të marra për shtëpi në Mbretërinë e Bashkuar u rrit me 29 përqind krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Banka qendrore Britanike ka rritur normën e interesit për të ulur inflacionin kronik, çka sipas ekspertëve ka rritur kostot e ripagimit të kredive hipotekore.
Ekspertët vlerësojnë gjithashtu se rritja e normës së interesit dhe normës së papunësisë kanë vënë nën presion të konsiderueshëm të ardhurat e disponueshme të qytetarëve për t’ju përgjigjur kërkesave të bankave.
Ndaj ata kanë ngritur alarmin në lidhje me përshkallëzimin e borxheve të hipotekave në Mbretërinë e Bashkuar, duke paralajmëruar se një “krizë hipotekore” mund të jetë në horizont nëse rregullatorët nuk ndryshojnë kursin e tyre.
Tv Klan