Britania e Madhe trajnon pilotët ukrainas

Në fjalimin e tij në Mynih, Kryeministri i Britanisë së Madhe,Risi Sunak tha se Ukraina ka nevojë për më shumë artileri, mjete të blinduara dhe mbrojtje ajrore, por ai nuk dha afate se kur do të dërgohen avionët ushtarakë në ndihmë të Kievit.

“Ne ishim një nga vendet e para që i siguruam Ukrainës tanke, po ashtu jemi vendi i parë që do të fillojmë trajnimin e pilotëve ukrainas në avionë standardë të NATO-s dhe sigurimin e armëve me rreze të gjatë. Të gjitha këto janë pjesë jetike e asaj se si Ukraina do ta fitojë këtë luftë. Tani është koha për të dyfishuar mbështetjen që ne i ofrojmë Ukrainës”.

Sipas zyrtarëve britanikë nuk do të ketë transferim të menjëhershëm të avionëve luftarakë të Mbretërisë së Bashkuar në Ukrainë pasi do të duheshin muaj për të trajnuar pilotët ukrainas.

Disa vende anëtare të NATO-s janë të shqetësuar se dhënia e avionëve ushtarake Ukrainës do të shihet si përshkallëzim i luftës, duke rrezikuar konfrontimin e drejtpërdrejtë midis aleancës ushtarake perëndimore dhe Rusisë.

Qëkur Rusia pushtoi më 24 shkurt të vitit të kaluar, Britania e Madhe ka shpenzuar 2.3 miliardë paund për ndihmën ushtarake, duke e bërë vendin donatorin e dytë më të madh pas SHBA-së.

Pajisjet ushtarake të ofruara nga MB deri më tani përfshijnë tanke, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe artileri.

Kievi është gjithnjë e më i frustruar nga koha kur armët e reja perëndimore do të mbërrijnë në fushat e betejës. Dorëzimi i tankeve të premtuara muajin e kaluar nga disa shtete përfshirë Gjermaninë, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe është ende disa javë larg mbërritjes në fushën e betejës.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share