Britania e Madhe i kërkoi të premten Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar nga Serbia më 14 qershor.
Një ditë ma parë edhe Shtetet e Bashkuara kërkuan lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës.
Në një komunikatë të minsitrisë së Jashtme britanike, thuhet se u bëhet thirrje palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet.
“Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin (Albin) Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të Kosovës, të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga zyra alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitë e posaçme të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale”, thuhet në komunikatë në të cilën theksohet se “zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në ato zgjedhje”.
https://twitter.com/UKinKosovo/status/1669614460829401088
Britania e Madhe pret që Kosova dhe Serbia të angazhohen menjëherë në biseidmet e lëhtësuara nga Bashkimi Evropian dhe “në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në komunikatë.
Shefi i politikës se Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, paralajëmroi të enjten se do t’i thërras Kosovën dhe Serbinë në një takim javën e ardhshme në Bruksel, për menaxhimin e krizës, në dritën e tensioneve të larta të cilat u shtuan pas arrestimit të policëve të Kosovës.
Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës.
Beogradi thotë se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.
Tensionet janë të larta që nga 26 maji prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe. Të hënën e 29 majit protestat u përshkuan me dhunë nga e cila mbetën të plagosur 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s, të cilat shtuan praninë e tyre në terren mes shqetësimeve për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.