Sulmet në Detin e Kuq rrisin kostot e transportit
Britania e Madhe do të shpenzojë 514 milionë Dollarë për të përmirësuar sistemin e raketave që tani po përdoret nga Marina Mbretërore për të rrëzuar dronët e grupimit Houthi mbi Detin e Kuq.
Duke folur për BBC të dielën, ministri i Mbrojtjes Grant Shapps tha se Marina Mbretërore po punonte për një armë të re lazer “DragonFire” për të plotësuar raketën ekzistuese Sea Viper që përdoret për të rrëzuar dronët armiqësor mbi Detin e Kuq.
Ndërkohë që sulmet e grupit Houthi të Jemenit në Detin e Kuq ndaj anijeve të transportit janë kthyer në një kërcënim ekonomik për mbarë globin.
Kjo pasi shumë kompani kanë parë si zgjidhje shmangien e Detit të Kuq si rrugë kalimi për anijet dhe drejtimin e tyre përmes Kepit të Shpresës së Mirës, duke rritur ndjeshëm kostot e transportit, kryesisht për lëndët djegëse.
Kështu të dhënat nga Shanghai Shipping Exchange tregojnë se në tetë javët e fundit, kostoja e transportit për konteiner është rritur mbi 300 përqind për itinerarin Shangai në Evropë dhe 250 përqind për rrugën nga Shangai në Mesdhe.
Edhe Freightos, një platformë prenotimi dhe pagesash për mallrat ndërkombëtare, tha për Reuters se tarifat për dërgesat nga Azia në Evropën Veriore janë dyfishuar.
Përmes rrugës ujore të Detit të Kuq kryhet rreth 12 përqind e tregtisë globale, ndaj dhe devijimi i saj përmes Afrikës së Jugut do të shtojë kohën e transportit me 20 ditë dhe do të rrisë kostot, çka pritet të rrisë edhe çmimet e lëndëve djegëse, gaz dhe naftë, si dhe të mallrave të tjera.
Tv Klan