Vritet roja i objektit Pal Kola 60 vjeç, autorët djegin makinën në Golem
Breshëri kallashnikovi në drejtim të godinës së televizonit Top Channel në orët e para të mëngjesit.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i objektit Pal Kola, 60 vjeç.
Ai ka marrë një plumb rreth orës 01:00 në zonën e Mëzezit teksa ishte duke qëndruar në godinë, ku fillimisht u plagos dhe më pas humbi jetën në spital.
Autorët pas ngjarjes janë larguar në drejtim të Golemit përmes autostradës nga ku më pas dogjën edhe automjetin që përdorën, tip Range Rover me targa të vjedhura.
Policia në brendësi të automjetit gjeti dy kallashnikovë, të cilët dyshohet se janë përdorur në ngjarje. Policia është në kërkim të autorëve, ndërsa ende nuk dihet motivi që çoi në këtë ngjarje të rëndë.
NJOFTIMI I POLICISË
Tiranë/Informacion paraprak | Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).
Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve./Klan News