Brenda qendrës rehabilituese për breshkat e ujit në Teksas

Ngjarjet ekstreme të motit po rrezikojnë gjithnjë e më shumë këto gjallesa

Ndryshimet klimatike po kërcënojnë jetën detare, por një qendër në Teksas po shpëton breshkat e detit, delfinët dhe kafshët e tjera përpara se t’i lëshojë ato në natyrë. Kjo qendër e hapur në muajin Mars, është më e madhja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E përbërë nga 26,000 metra katrorë, qendra unike i lejon vizitorët të shikojnë kontrollet mjekësore që u bëhen kafshëve detare përmes këtyre dritareve të shumta.

“Gjatë kohëve të fundit kemi liruar tre breshka deti dhe dy që na kanë mbetur janë ende duke luftuar  ndaj pneumonisë. Pra kjo është ajo që ne do të bëjmë sot, do të kontrollojmë  shkallën e pneumonisë tek kjo kafshë. Duam të sigurohemi që të mos ketë përsëritje të anomalive shëndetësore në skanimin që do të realizojmë sot”, tha Carrie Ullmer, veterinere.https://www.youtube.com/embed/TVwzk5aDxxo

Për ekzaminimin e tyre veterinerët në këtë qendër përdorin këtë skaner të veçantë.

“Gjëja e bukur për këtë njësi të veçantë është pikërisht ky skaner. Përmes skanimit ne zbulojmë se  këto kafshë  po reagojnë mjaft mirë sepse ato në fakt nuk po lëvizin gjatë  këtij procesi. Kështu që ju  mund të vëreni që disa nga këto breshka, ne nuk kemi pse tu  bëjmë anestezi në mënyrë që të kryejmë skanimin. Thënë ndryshe kjo teknologji është shumë e ngjashme me  ato që përdoren në spitalet ku trajtohen njerëzit.”

Ngjarjet ekstreme të motit  ndikojnë në mënyrë të rrezikshme tek shëndeti i përgjithshëm i breshkave të detit. Rënia drastike e temperaturave i detyron këto breshka të zhvendosen në laguna dhe gjire duke i penguar ato të shkojnë në ujëra të ngrohta. Por ndonjëherë këto kushte të motit rezultojnë edhe fatale për to.

“Në Teksas, ne përjetojmë ngjarje ekstreme të motit , që do të thotë se temperatura shkon nga  ajo normalja në atë drastike. Sa herë që ka një ndryshim shumë të shpejtë të temperaturës së ajrit dhe më pas të temperaturës së ujit, disa nga këto kafshë , veçanërisht breshkat e  vogla të detit që po kërkojnë ushqim, përfundojnë në ujëra të cekëta dhe kështu ato ndikohen  më shumë nga ndryshimi i shpejtë i temperaturës. Pra  në thelb kjo është ajo që ndodh. Temperatura e trupit të tyre ulet kaq shpejt, rrahjet e tyre të zemrës bien jashtëzakonisht shumë, ritmi i frymëmarrjes bie, metabolizmi i tyre është shumë i ulët pra ato janë shumë të rrezikuara.”

Ashtu si disa gjallesa të  tjera, breshkat e detit janë të kufizuara  lidhur me mënyrën se sa mund ta rregullojnë dhe kontrollojnë temperaturën e trupit të tyre. Pra, pavarësisht ndihmës së punonjësve të kësaj qendre ka nga ato breshka të cilat nuk reagojnë në kohë.

“Pra, kjo është një tjetër breshkë ridley e Kemp-it, e cila erdhi tek në janar. Kjo kafshë gjithashtu ka qenë  duke u trajtuar për pneumoni. Fatkeqësisht, ajo nuk është përgjigjur si kafshët e tjera. Dhe kështu është dashur edhe më shumë kohë që kjo  breshkë të fillojë të përmirësohet.”

Specialistja e kujdesit për jetën detare, Giovanna Pena tha se kjo breshkë deti ishte rikuperuar plotësisht pas katër muaj dhe ishte gati të  lëshohet në habitatin e saj.

“Kjo breshkë ka një kohë të gjatë që ka qëndruar këtu prandaj të gjithë jemi shumë të emocionuar që më në fund do të mund ta lëshojmë sërish në natyrë”.

Breshkat e ujit po përballen me kërcënime të përditshme ndërsa bëjnë udhëtimet e tyre migratore nëpër oqeanet e botës. Këto rreziqe shkaktohen nga mjedisi por edhe nga faktori njerëzor.

Por në Teksas ka patur veçanërisht disa ngjarje ekstreme të motit, duke përfshirë një stuhi të fortë dimri në shkurt 2021, e cila shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike dhe rezultoi në vdekjen e qindra personave.

Disa studiues kanë vënë në dukje ndryshimin e klimës si shkak të mundshëm të ngjarjeve gjithnjë e më të ekstreme të motit .

Por këto fenomene pritet të dëmtojnë ekosistemet detare dhe komunitetet e lidhura me këto sisteme. Për shembull, një valë e madhe e të nxehtit në brigjet perëndimore në vitin 2014 rrezikoi gaforret.

Valët e të nxehtit detar por edhe zbardhja e koraleve janë vetëm disa shembuj të këtyre ngjarjeve ekstreme, të cilat parashikohen të bëhen më të zakonshme në të ardhmen.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share