Zi në Brazil! Ndarja nga jeta e legjendës Pele ka sjellë trishtim dhe dhimbje, me 82-vjeçarin që humbi betejën e gjatë me një sëmundje të rëndë. Autoritetet braziliane kanë vendosur që në Brazil të mbahen tre ditë zie për 3 herë kampionin e Botës. Varrimi i legjendës Pele do të mbahet të hënën e 2 janarit në stadiumin “Vila Belmiro” në Santos, aty ku 82-vjeçari shkruajti historinë. Arkivoli do të transportohet nga spitali izraelit ‘Albert Einstein’ direkt në stadium.
Santos, klubi për të cilin Pele luajti në Brazil, tha se publiku do të jetë në gjendje t’i bëjë nderimet e fundit ‘O Rei’ në stadiumin Vila Belmiro. Arkivoli i tre herë kampionit të botës do të vendoset në mesin e fushës, pasi të transportohet nëpër rrugët e Santos dhe të kalojë shtëpinë e nënës së tij 100-vjeçare, Celeste.
Sipas mediave braziliane, ajo nuk mund të ngrihet nga shtrati. Trupi më pas do të varroset në Nekropolin Ekumenik Memorial, pas një ceremonie private të rezervuar për familjen. Pele shënoi në total një numër rekord prej 1281 gola në 1366 ndeshje dhe është futbollisti i vetëm që e ka fituar Kupën e Botës tre herë. Kupën e tij të parë të Botës e fitoi në moshën 17-vjeçare.
Klan News