Brazili s’e furnizon me karburant aeroplanin e Lavrovit, frikë nga sanksionet amerikane

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka qëndruar në Brazil për të marrë pjesë në takimin e G20.

Mirëpo, gjatë qëndrimit atje, ka hasur në një të papritur. Ai u përball direkt me sanksionet amerikane.

Aeroplani me të cilin kishte mbërritur atje, i kishte mbetur pa karburant.

Nga frika se mos do të futeshin nën sanksione amerikane, kompania braziliane “Vibra” ka refuzuar ta furnizojë aeroplanin e tij me karburant.

Lavrov mbërriti në Brazil për takimin ministror të G20, grupit të 19 vendeve më të zhvilluara dhe BE-së, dhe fluturoi në Rio de Zhaneiro në aeroplanin shtetëror rus “Ilyushin IL-96”. Ai mbërriti në Rio pasi ishte ndalur më parë në Kubë dhe Venezuelë, ku u takua me presidentët dhe ministrat e jashtëm të atyre vendeve.

Plani ishte që Lavrovi të takohej me Ignacio Lula da Silva në Brazil, por ai hasi në një pengesë të papritur – kompanitë që merren me shërbimet e aeroportit në Rio refuzuan të furnizonin aeroplanin e tij me karburant për të fluturuar në kryeqytet për një takim me presidentin, konfirmojnë mediat braziliane.

Kompania “Vibra”, kompania më e madhe braziliane për furnizimin e transportuesve ajrorë, dyshohet se e ka refuzuar atë për të mos u goditur nga sanksionet dytësore të ShBA-së, të cilat gjithashtu ndalojnë kompanitë nga vendet e treta të bashkëpunojnë me kompani ose individë nën sanksionet e ShBA-së, siç është rasti i Lavrovit.

Furnizimi me karburant i aeroplanit ishte i nevojshëm në mënyrë që ai të mund të fluturonte nga Brazilia në Kazablanka, Marok, pasi aeroplanët shtetërorë rusë fluturojnë atë rrugë më të gjatë për të shmangur hapësirën ajrore evropiane.

Nëse do të kishte furnizuar me karburant aeroplanin shtetëror rus, “Vibra” do të mund të rrezikonte bashkëpunimin për furnizim me karburant ndaj kompanive të mëdha amerikane, si “American Airlines”, “Delta” dhe “United”, të cilat kanë një numër të madh fluturimesh nga Brazili.

Më pas u kërkua ndihmë nga ushtria braziliane, e cila nuk kishte mjaft karburant në bazën Galeao për të furnizuar me karburant katërmotorëshin “Ilyushin”.

Takimi mes Lavrovit dhe Lula da Silvës thuajse u anulua, pretendon media braziliane “Aeroin”, duke iu referuar informacioneve të gazetës më të madhe ekonomike braziliane, “Valor Ekonomika”.

Zgjidhja u gjet kur Lavrovi fluturoi në Brazilia me aeroplanin FAB të ministrit të Jashtëm brazilian, Mauro Vieira.

“Ilyushin” i Lavrovit u mbush nga kompania “Jetfly”, kështu që ministri rus më vonë u kthye me të në Moskë.

Lavrovi diskutoi me presidentin brazilian mbi situatën në Ukrainë, Rripin e Gazës dhe bashkëpunimin në skenën ndërkombëtare, pasi presidenca braziliane e G20 përkon me presidencën ruse të BRICS.

Në Venezuelë, Lavrovi propozoi që të dy vendet së bashku të “kërkojnë drejtësi” në lidhje me konfiskimin e pronës dhe në Kubë ai njoftoi një kredi të re ruse për atë vend dhe mbështetje për kërkesën e Havanës për heqjen e embargos amerikane dhe heqjen e Kubës nga lista e Departamentit të Shtetit të ShBA-së e shteteve sponsorizuese të terrorizmit. /Klankosova.tv

Lexo gjithashtu
Total
0
Share