Shirat e dendur në shtetin jugor brazilian të Rio Grande do Sul vijojnë të rëndojnë bilancin e të vdekurëve.
Sipas autoriteteve deri më tani numri atyre që kanë humbur jetën nga përmbytjet e fuqishme ka arritur në 39 ndërsa 68 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Mijëra banorë janë evakuuar dhe shirat rekord kanë shkatërruar shtëpitë.
Përmbytjet në mbarë vendin kanë tejkaluar katastrofen historike të vitit 1941, sipas Shërbimit Gjeologjik Brazilian. Në disa qytete, nivelet e ujit ishin në nivelin më të lartë që nga fillimi i regjistrimeve gati 150 vjet më parë. Një digë në një hidrocentral midis qyteteve Bento Goncalves dhe Cotipora u shemb pjesërisht dhe qytete të tëra në luginën e lumit Taquari, si Lajeado dhe Estrela, u përmbytën.
Kjo është fatkeqësia e katërt e tillë mjedisore që ka përfshirë Brazilin, pas përmbytjeve në Korrik, Shtator dhe Nëntor 2023 që vranë 75 njerëz.
Ndërkaq edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Teksasi juglindor është përfshirë nga përmbytjet. Autoritetet urdhëruan evakuuime masive përgjatë brigjeve të East Fork të lumit San Jacinto. Disa lumenj kanë arritur gjithashtu pikën kritike.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, ka lëshuar një deklaratë fatkeqësie për zonën. Sipas ABC News, përmbytjet pritet të vazhdojnë në disa pjesë të Teksasit qendror dhe lindor deri në javën e ardhshme. Moti në të gjithë Amerikën e Jugut po ndikohet nga fenomeni El Nino që ka shkaktuar në disa shtete thatësirë ekstreme dhe në disa të tjera reshje intensive.