Iker Casillas mendon se Argjentinës nuk i duhej dhënë penallti, në Kroaci kryqëzojnë arbitrin
Arbitri i takimit Argjentinë-Kroaci ka shkaktuar debate të shumta me vendimin e tij për t’i dhënë penallti bardhekaltërve. Ndeshja gjysmëfinale Argjentinë-Kroaci e përcaktoi kombëtaren finaliste, por la pas edhe shumë polemika.
Një ndër zërat që mendojnë se penalltia e parë e kthyer në gol nga Leo Messi nuk duhej dhënë, është edhe Iker Kasijas. Ish-portieri i njohur i Real Madrid dhe Spanjës beson se gjyqtari Daniele Orsato ka vepruar gabim, duke e konsideruar faull ndërhyrjen e portierit Livakoviç ndaj Julian Alvarez.
Kasijas ripostoi në Twitter shpjegimin e ish-gjyqtarit ndërkombëtar meksikan, Felipe Ramos Rizo, i cili tregoi arsyen se përse italiani gaboi në gjykimin e rastit.
Edhe ikona e futbollit kroat, Luka Modriç, kritikoi arbitrin Orsato për vendimin e marrë.
Sipas mesfushorit kroat, Orsato është një nga arbitrat më të dobët që ai njeh, e me të nuk ka asnjëherë kujtime të mira. Edhe pse uroi bardhekaltrit, shtoi se penalltia e parë, e dëmtoi shumë Kroacinë.
Arbitri kroat Bruno Mari shpjegoi se mund të ishte vetëm një faull ndaj portierit dhe arbitri Orsato bëri padrejtësi duke ndikuar në rezultat.
Klan News