Izraeli vazhdoi sulmet në Rripin e Gazës, duke përfshirë qytetin Rafah, një ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e urdhëroi të ndalonte operacionet ushtarake në qytetin jugor. Ndërkohë, sipas agjencisë Reuters, javën tjetër pritet që Izraeli dhe grupi Hamas të rinisin bisedimet për armëpushim.
Negociatat ndërmjet Izraelit dhe grupit militant Hamas për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur në Rripin e Gazës do të rifillojnë javën e ardhshme, tha të shtunën një zyrtar që kishte njohuri për këtë çështje.
Vendimi për të rifilluar bisedimet, tha zyrtari për agjencinë e lajmeve Reuters, erdhi pasi kreu i agjencisë së inteligjencës izraelite “Mossad” u takua me kreun e CIA-s dhe kryeministrin e Katarit, vend i cili prej kohësh ka luajtur rolin e ndërmjetësit.
“Në fund të takimit, u vendos që në javën e ardhshme të hapen negociatat bazuar në propozimet e reja të udhëhequra nga ndërmjetësit, Egjipti dhe Katari dhe me përfshirjen aktive të SHBA-së”, tha zyrtari i cili për shkak të ndjershmërisë së çështjes nuk pranoi të identifikohej.
Të premten, presidenti francez Emmanuel Macron priti kryeministrin e Katarit dhe ministrat e jashtëm saudit, egjiptian dhe jordanez për të diskutuar për një armëpushim mes Izraelit dhe grupit militant Hamas. Presidenca franceze tha se ata zhvilluan bisedime mbi luftën në Gazë dhe mënyrat për të krijuar një shtet palestinez përkrah Izraelit.
Ndërkohë, Izraeli sulmoi Rripin e Gazës të shtunën, duke përfshirë qytetin Rafah, një ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e urdhëroi të ndalonte operacionet ushtarake në qytetin jugor.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë gjithashtu kërkoi lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve që mbahen nga militantët palestinezë, disa orë pasi ushtria izraelite njoftoi se forcat e saj kishin gjetur trupat e tre pengjeve në veri të Gazës.
Egjipti tha të premten se ka rënë dakord të dërgojë kamionë me ndihma humanitare të Kombeve të Bashkuara në Gazë, përmes pikëkalimit në Kerem Shalom, por është ende e paqartë nëse kamionët do të jenë në gjendje të hyjnë në territor ndërsa luftimet vijojnë
Izraeli thotë se kalimi kufitar në Rafah është rihapur dhe i ka kërkuar Egjiptit që të koordinohet me të për dërgimin e autokolonave të ndihmave. Më herët Kajro nuk e kishte pranuar këtë kushtëzim. Pas një bisede telefonike me presidentin amerikan Joe Biden, presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi ra dakord të lejojë kamionët e OKB-së që transportonin ndihma humanitare të shkojnë në vendkalimin Kerem Shalom derisa të gjendet një zgjidhje për pikëkalimin në Rafah.
Por ekspertët thonë se është e paqartë nëse OKB-ja do të jetë në gjendje të dërgojë në territorin e Gazës kamionë shtesë që vijnë nga Egjipti. Udhëheqësit izraelitë kanë thënë se do të vijojnë sulmet në Rafah, pasi sipas tyre duhet të çrrënjohet Hamasi nga ky qytet.
Militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë në sulmin e 7 tetorit në Izrael, sipas të dhënave izraelite. Rreth gjysma e pengjeve janë liruar, shumica në shkëmbime me të burgosurit palestinezë të mbajtur nga Izraeli gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor.
Fushata e bombardimeve dhe ofensiva e Izraelit në Gazë ka vrarë më shumë se 35 mijë palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 80 mijë të tjerë tha të premten Ministria e Shëndetësisë në Gazë që kontrollohet nga Hamasi.