ZHVILLIMET NË LINDJEN E AFËRT
Bota ka dënuar në termat më të ashpër sulmin hakmarrës të Iranit ndaj Izraelit. Liderët kanë bërë thirrje për vetëpërmbajte ndërsa e kanë cilësuar sulmin një rrezik dhe destabilizim për rajonin. Presidenti amerikan mbledh G7 pasi Izraeli ka kërkuar që Garda Revolucionare e Iranit të shpallet organizatë terroriste.
Liderët botërorë kanë dënuar në temrat më të ashpër sulmin hakmarrës ndaj Izraelit disa duke akuzuar hapur Teheranin. Një pjesë e tyre kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje në Lindjen e Mesme.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres kërkoi ndalimin e menjëhershëm të armiqësive në Lindjen e Mesme. “U bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale për të shmangur çdo veprim që mund të çojë në konfrontime të mëdha ushtarake në fronte të shumta në Lindjen e Mesme”, tha Guterres në një seri postimesh në X.
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau tha se sulmet “dëshmojnë edhe një herë shpërfilljen e regjimit iranian për paqe dhe stabilitet në rajon. Kanadaja mbështet të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij nga këto sulme.
Kina shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin aktual duke shtuar se ishte një përhapje e konfliktit dhe një armëpushim duhet të zbatohet pa vonesë. Pekini u bëri thirrje palëve përkatëse të ushtrojnë qetësi dhe vetëpërmbajtje.
Pakistani tha se sulmet ishin pasojat e prishjes së diplomacisë. Arabia Saudite, një rival i madh rajonal i Iranit, theksoi rëndësinë e parandalimit të çdo përkeqësimi të mëtejshëm të krizës, duke paralajmëruar pasoja të rënda.
Ministria e Jashtme e Egjiptit i quajti zhvillimet e fundit një përshkallëzim të rrezikshëm dhe tha se nuk janë asgjë tjetër veçse një rezultat i drejtpërdrejtë i asaj që Egjipti ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur, në lidhje me rreziqet e zgjerimit të konfliktit në rajon.Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se vendi i tij “është gati për çdo skenar”. “Në vitet e fundit, e sidomos në javët e fundit, Izraeli është përgatitur për një sulm të drejtpërdrejtë nga Irani. Shteti i Izraelit është i fortë”, tha ai.
Mes të tjerash edhe Kryeministri britanik, Rishi Sunak, tha se sulmet e Iranit rrezikojnë të destabilizojnë rajonin. “Irani ka dëshmuar edhe një herë se do të shkaktojë kaos në oborrin e tij”, tha ai. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell si dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e kanë dënuar sulmin në termat më të ashpër dhe e kanë konsideruar si një “përshkallëzim të paprecedentë” dhe një kërcënim të rëndë për sigurinë rajonale.
Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të mos ndërhyjnë në tensionet midis Iranit dhe Izraelit. “Nëse Biden mbështet Izraelin, ne nuk do të rrimë duarkryq duke duke mos bërë asgjë”, është shprehur Putin. Gjithashtu edhe kancelari gjerman Olaf Sholz u shpreh se ky është një sulm i pajustifikueshëm dhe po nxit një përshkallëzim serioz të situatës. Nga ana tjetër edhe Ati i Shenjtë, Papa Françesku i kërkoi Iranit dhe Izraelit të shmangin veprimet që mund të ushqejnë dhune dhe askush nuk duhet të kërcënojë ekzistencën e të tjerëve.
Rivali republikan i Bidenit Donald Trump , iu referua sulmeve ajrore në një tubim në Pensilvani, duke kritikuar rivalin e tij demokrat.
“Ata janë nën sulm tani. Kjo sepse ne tregojmë dobësi të madhe. Kjo nuk do të ndodhte, dobësia që kemi treguar, është e pabesueshme dhe nuk do të kishte ndodhur nëse do të ishim në detyrë”, u shpreh Trump.
Presidenti i SHBA Joe Biden do të mbajë një takim me liderët e G7 për të koordinuar një përgjigje diplomatike ndaj atij që ai e quajti sulmin e pacipë të Iranit. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se Amerika nuk kërkon konflikt me Iranin, por nuk do të hezitojë të veprojë për të mbrojtur forcat amerikane dhe për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është caktuar të mblidhet pasditen e së dielës pasi Izraeli kërkoi të dënohet sulmi i Iranit dhe Garda Revolucionare e Iranit të caktohet organizatë terroriste.