NGA QEVERIA ME TONE ASPAK MIQËSORE NDAJ KOMPANISË AUSTRIAKE
Në mëngjes, objektet e Hekurudhave të Maqedonisë – Transporti në Veles dhe lagjen Lisiçe kishin mbetur pa rrymë. Kjo për shkak të faturave të pa paguara, e si paralajmërim nga EVN se e ka seriozisht kur thotë se nëse nuk paguhen borxhet, rryma do të ndalet edhe në institucione tjera publike.
Pas Hekurudhave, radhën e kishte Qendra Klinike në Shkupi, por Kryeministri siguroi se kjo nuk do të ndodhë.
Na intereson se a do të ndërpritet rryma sot në 12 në Qendrën klinike?
Nuk do të ndërpritet!
Garancia bankare? Thonë se po e presin garancinë bankare!?
Nuk do të ndërpritet!
”Edhe tek Hekurudhat-Transporti ka rrymë. Qeveria në buxhetin e ri që është dorëzuar tek Kuvendi, sapo të kalojnë në buxhet atëherë do të mund të financohen artikujt e paraparë dhe të paguhen faturat e borxhlinjve” – tha Kovaçevski.
E toni i përdorur nga përfaqësuesit e ekzekutivit ndaj EVN-së, nuk ishte aspak miqësor.
”Qeveria nuk është palë në këtë rast dhe nuk ka asnjë obligim ndaj EVN-së dhe nëse EVN nuk e kupton se Qeveria nuk është këtu palë që jep garanci atëherë EVN ka problem me interpretimin e funksionin të tyre në shtetin tonë” – tha Fatmir Bytyqi.
Kryeministri Kovaçevski tha se faturat kanë mbetur pa paguar për shkak rritjes së çmimit të energjisë elektrike, e në shëndetësi si pasojë e pandemisë, ku spitalet kanë pas harxhime të mëdha. Sa i përket kuadrove që i kanë udhëhequr këto institucione që janë në borxhe, tha se disa prej tyre janë zëvendësuar, por nëse konstatohet se ka performansa të dobëta edhe në resorë tjerë, do të ketë rifreskime. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Furkan Saliu