Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, teksa ka folur për situatën e krijuar nga serbët në Kosovë, ka thënë se të dy palët janë të gatshme që të deeskalojnë situatën në veri.
Në një prononcim për media, para nisjes së punimeve të Këshillit të ministrave të Punëve të jashtme të Unionit, Borrell ka thënë se pritjet ishin që pas marrëveshjes për targat të ketë qetësi.
Sulmet ndaj Policisë së Kosovës, Borrell i quajti të papranueshme.
“Shqetësuese është Kosova. Menduam se gjërat u qetësuan pas marrëveshjes për targat, por sërish serbët e Kosovës, pas arrestimit të një ish-polici serb u përgjigjën me shumë probleme nëpër rrugë, duke i bllokuar ato, madje duke hedhur shok-granata ndaj disa prej zyrtarëve tanë policorë. Kjo është e papranueshme. E di që të dyja palët duan ta deeskalojnë situatën. Fuqishëm i thërras ato që ta bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Borrell.
Ai ka theksuar se ishte në kontakt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësuesin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Sipas Borrell, të dyja palët duhet t’i kthehen dialogut.
Ai shtoi se kjo nuk është mënyra e duhur për të arritur marrëveshje apo vazhduar bisedimet duke kërkuar zgjidhje.
“Në këtë rast unë isha në kontakt me kryeministrin Kurti, Miroslav Lajçakun dhe presidentin Vuçiq. Kjo prishje e rendit publik, kjo dhunë nuk janë të përballueshme. Ata duhet t’i kthehen dialogut, duhet ta tejkalojnë tendencën për t’u përballur në rrugë e krijuar bllokada. Kjo nuk është mënyra për të arritur marrëveshje apo vazhduar bisedimet e për të kërkuar zgjidhje, e për të vazhduar procesin e normalizimit në të cilin ata janë të angazhuar”, shtoi Borrell.
Serbët lokalë në veri të Kosovës ngritën barrikada më 10 dhjetor, në shenjë kundërshtimi lidhur me arrestimin e Dejan Pantiqit, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Në Kosovë është thënë se ai kishte organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri më 6 dhjetor.
Që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.
Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës. Më 8 dhjetor, një polic u plagos lehtë, ndërkaq të shtunën, Policia tha se në tri raste ka pasur të shtëna drejt zyrtarëve policorë nga “grupet kriminale”, duke shtuar se policët janë kundërpërgjigjur me zjarr.
Për shkak të situatës në veri të Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi që të shtyjë zgjedhjet lokale në katër komunat veriore për prillin e vitit të ardhshëm.
Paraprakisht, zgjedhjet ishin caktuar që të mbaheshin më 18 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Këto komuna, që nga nëntori kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjes së tyre. /EkonomiaOnline