Borrell fton Izraelin dhe Palestinën në takimin urgjent të ministrave të Jashtëm të BE-së

Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen dhe homologu i tij palestinez, Rriyad Ak-Maliki, janë ftuar të marrin pjesë në takimin urgjent të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian që do të zhvillohet gjatë ditës sot.

Në takimin urgjent të ministrave të Jashtëm të BE-së pritet të diskutohet rreth konfliktit Izrael-Hamas.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se ka ftuar ministrin e Jashtëm izraelit dhe atë palestinez për të marrë pjesë në mbledhjen urgjente të planifikuar për sot pasdite.

“Kam ftuar ministrin e Jashtëm izraelit të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së që po mbledh sot pasdite. Kam ftuar gjithashtu ministrin e Jashtëm (të Autoritetit Palestinez) Maliki që t’i bashkohet takimit dhe të prezantojë pikëpamjet e Autoritetit Palestinez”, shkruan Borrell në platformën “X”.

Kujtojmë se Izraeli njoftoi ditën e djeshme rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit dhe ujit, si dhe duke e ndërprerë furnizimin me rrymë.

Ndërkohë sot, e martë 10 Tetor, forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se kanë siguruar kufirin me Gazën, nga ku mijëra luftëtarë të Hamasit ishin futur në Izrael të shtunën për ta nisur sulmin më të rëndë ndaj këtij vendi në dekadat e fundit.

Numri i të vdekurve në Izrael është rritur në 900 nga sulmet e Hamasit, për të cilat Izraeli është hakmarrë me bombardime mbi Gazën, ku kanë mbetur rreth 700 të vrarë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share