Zyrtarët e lartë evropianë përgëzuan të enjten Malin e Zi për mbështetjen dhe rreshtimin përkrah politikave të bllokut në sanksionimin e Rusisë dhe dënimin e pushtimit të Ukrainës dhe i kërkuan kombit të vogël ballkanik që të vazhdojë me reformat e nevojshme për të avancuar drejt anëtarësimit në BE-së.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe komisioneri për zgjerimin Olivér Várhelyi morën pjesë në një këshill të përbashkët të Stabilizim-Asociimit mes Malit të Zi dhe BE-së që u mbajt për herë të parë në një vend kandidat ballkanik, një shprehje e dukshme e angazhimit të BE-së për integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Mali i Zi shihet gjerësisht si vendi i parë në radhë për anëtarësimin në BE, por përparimi i vendit është ngadalësuar për shkak të tensioneve të brendshme politike midis kampit pro-perëndimor dhe atyre që favorizojnë lidhje më të ngushta me Serbinë fqinje dhe Rusinë.
Me Rusinë që po mundohet të ruajë ndikimin e saj historik në Ballkan, BE-ja ka kërkuar të mbajë gjallë përpjekjen e vendeve për t’u bashkuar me bllokun, pavarësisht përparimit të ngadaltë. Përveç Malit të Zi, kandidatët për në BE në rajon janë Serbia, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Kryeministri Dritan Abazoviq, qeveria e pakicës së të cilit gëzon një shumicë minimale në parlament, këmbënguli se anëtarësimi në BE mbetet opsioni i vetëm për Malin e Zi. Ai premtoi se do të kërkojë mbështetje më të gjerë për reforma të mëtejshme.
“Duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë”, tha Abazoviq.
Borrell tha se ai falënderoi Malin e Zi për “rreshtimin në përputhje të plotë me vendimet e politikës së jashtme të BE-së”. Mali i Zi i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe sfidoi Moskën, një aleat tradicional sllav, në vitin 2017-të për t’u bashkuar me NATO-n.
“Mali i Zi duhet të mbajë fokusin në rrugën drejt BE-së,” shtoi Borrell. “Nuk ka asgjë më të rëndësishme. Dritarja e mundësive është tani.”
Borrell i kërkoi gjithashtu Malit të Zi të shfuqizojë programin e tij të dhënies së shtetësisë për investitorët e huaj të pasur. Analistët kanë thënë se BE-ja me sa duket ka frikë se disa individë rusë ose bjellorusë mund të përfitojnë ndërsa përballen me sanksionet perëndimore.
Mali i Zi duhet të zbatojë reformën gjyqësore dhe të sundimit të ligjit, të përmirësojë lirinë e medias dhe të nxisë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, thanë zyrtarët evropianë. Várhelyi vizitoi edhe Shqipërinë më vonë të enjten.