Kosova dhe Serbia duhet të çtensionojnë situatën, tha të hënën shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Ato duhet t’i kthehen dialogut, duhet ta kapërcejnë këtë tendencë për të luftuar në rrugë”, tha ai para një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.
Kujtojmë se në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, disa grupe serbësh vazhdojnë bllokimin e rrugëve për të tretën ditë me radhë.
Protestën e nxiti arrestimi i një ish-zyrtari serb të Policisë së Kosovës, të shtunën. Dejan Pantiç u arrestua nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë./REL