Kryeministri Edi Rama e ka dënuar ashpër bombardimin e spitalit në Rripin e Gazas, ku më shumë se 500 persona mbetën të vrarë.
Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare e konsideron ngjarjen tepër të rëndë dhe që nuk ka asnjë justifikim në asnjë lloj rrethana për goditjen e spitalit.
“Është thellësisht tronditëse të shohësh pamjet e goditjes me bombë të spitalit Al-Ahli në Gaza, ku qindra e qindra njerëz u masakruan e humbën jetën.
Sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk preken.
Nuk ka asnjë justifikim, në asnjë rrethanë, për goditjen e infrastrukturës spitalore, civilëve dhe ekipeve mjekësore. Deklarata e kryeministrit Netaniahu se kjo masakër u krye nga vetë Hamasi është drithëruese, por nuk mjafton për ta ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese”.
Izraeli ka mohuar që të ketë sulmuar spitalin në Gaza, duke thënë se raketa u lëshua nga Hamasi. Megjithatë, Kryeministri Edi Rama thotë se është detyrë e botës demokratike që të zbulojë faktet dhe të provohet se kush është autor i kësaj tragjedie.
“Prandaj të gjitha faktet e mundshme duhet të mblidhen dhe të provohet autorësia e kësaj goditjeje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit. Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk mjafton as për t’i mbyllur sytë përballë pamjeve rrënqethëse të gërmadha të spitalit të bombarduar dhe as për t’u mjaftuar me deklaratën shumë tronditëse të kryeministrit të Izraelit.
Në këtë luftë Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike është e përcaktuar në anën e Izraelit të goditur barbarisht nga mizoria e terroristëve të Hamasit! Por bota demokratike duhet të jetë po ashtu garante e të vërtetës për qindra e qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza.
Prandaj hetimi i fakteve për nxjerrjen e autorëve të kësaj vrasjeje masive dhe dënimi pa asnjë ekuivok i tyre është përgjegjësi e padiskutueshme e detyrim i pashmangshëm i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit”.
Një raketë goditin spitalin në Gaza mbrëmë duke shkaktuar mbi 500 të vrarë. Izraeli ka fajësuar Hamasin duke thënë se raketa nuk është lëshuar nga ushtria izraelite.