Boksieri britanik Tyson Fury fitoi me vendim shumice duelin e “njeriut më të keq në planet” ndaj kamerunasit Francis Ngannou. Sfida e zhvilluar në Arabinë Saudite ishte mjaft e bukur, e ekuilibruar në të 10 raundet, ku të dy boksierët mund ta fitonin atë.
Dy nga gjyqtarët i dhanë fitoren Fury (96-93 dhe 95-94), ndërsa një gjyqtar i dha fitoren Ngannou (95-94). Kamerunasi, që debutonte në ring sonte, shpresoi te fitorja, sidomos pasi hodhi Fury në tapet në raundin e tretë, por nuk ia doli dot mbanë.
Nga ana tjetër, Fury u duk sikur donte të kontrollonte rivalin në distancë, duke fituar shumicën e raundeve, por pa dhënë atë që pritej. Mungoi sulmi i fortë dhe agresiv i britanikut, që më së shumti ruajti energjitë edhe pse nuk e kishte të sigurt fitoren.
Ngannou synonte fitoren, por edhe me këtë rezultat mbeti i kënaqur, pasi donte t’i tregonte botës se di të boksoje. Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë në artet marciale mikse konfirmoi se mund të jetë një pretendent në këtë sport.
Tyson Fury mbeti i pamposhtur (ka rekordin 34 fitore e 1 barazim në karrierë), por duket se mendjen e kishte te sfida me Usyk, i pranishëm në stadium. Të shumtë personazhet VIP në stadium që ndoqën “live” duelin dhe u argëtuan.
Dueli nisi i avashtë nga të dy boksierët, që duket se fillimisht studiuan njëri-tjetrin e më pas u bënë më agresivë. Ngannou tregoi grinte dhe rezistoi deri në fund, ndërkohë që Fury fitoi pa shumë shkëlqim, duke treguar se në ring nuk mundet dot kollaj.