Vazhdon gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve. Sl fundmi politikani kontravers Petar Bogoevski që është pjesë e koalicionit të VMRI-DPMNE-së ka shprehur një sërë ofendimesh ndaj politikanëve dhe qytetarëve shqiptarë. Kanë reaguar partitë shqiptare duke kërkuar që prokuroria të hap lëndë kundër tij.
Njerëz të cekët, të padëfryer dhe fshatarë, këto janë vetëm disa nga termet me të cilat politikani kontrovers, Petar Bogojevski, ofendon politikanët shqiptarë në Qeveri. Nëpërmjet një statusi në profilin e tij, Bogojevski, i cili është edhe bashkëpunëtor i VMRO-DPMNE-së, madje ka ofenduar edhe qytetarët shqiptarë, duke iu referuar me termin ofendues sllav “shqiptari”. Megjithatë, disa orë pas publikimit të versionit të parë të këtij statusi, ka vendosur që ta ndryshoj atë, duke e hequr këtë term fyes. Megjithatë, nuk ka larguar edhe ofendimet tjera ndaj qytetarëve shqiptarë, ku mes tjerash thotë se janë të frustruar që të dëshmohen.
“Pse votoni me këmbëngulje për njerëz të cekët, të padëfryer, të flaktë pas veturave, flesherëve, drekave… gjithë këto janë kope e padëfryer, e cila më së shumti ju turpëron juve?!? Pse nuk votoni njerëz qytetarë, të edukuar, njerëz të dëfryer me të kaluar të dëshmuar, njerëz esnaf… keni shumë shqiptarë të tillë!. Juve do t’ua zbardhin fytyrën! Ju do të mburreni me to dhe përfundimisht do të dëshmoni se keni njerëz më të mirë se ne maqedonasit. Jo se ajo është e rëndësishme, por ja ju keni një lloj frustrimi që të dëshmoheni!”
Nga Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar duke thënë se gjuha e urrejtjes që ka përdorur Bogojevski ndaj shqiptarëve, paraqet rrezik të vërtetë për tensione dhe jo e drejta e shqiptarëve për tu mbrojtur dhe për të ngritur zërin kundër nënçmimeve dhe ofendimeve si këto. Ata kërkuan nga organet e drejtësisë që të ndërmarrin masa në lidhje me këtë rast.
“Prokuroria Publike me detyrë zyrtare duhet të hap lëndë dhe të ndjek penalisht këtë ofendim dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve, si formën më të rëndë të veprës penale sot. Ndërsa nga vasalët shqiptarë në Qeveri, nuk presin që t’i mbrojnë shqiptarët, por të paktën le t’i dalin zot vetes dhe të reagojnë ndaj ofendimeve që ju dedikohen mes tjerësh edhe atyre, ku vetë ata i quan “kafshë e padëfryer”. Mos vallë edhe nga Bogojeski frikësohen sikur nga Maksimi e Stoilkoviçi? Turp, nënshtrim, servilizëm. Tërhiquni dhe ju sigurojmë se askush më s’do të mund as të ju ofendojë e as degradojë kështu, as juve dhe as shqiptarët në përgjithësi”. thonë nga ASH.
Edhe nga koalicioni VLEN, që është pjesë e Qeverisë, thanë për Klan M se, autoritetit kompetente duhet të merren me rastin e Bogojevskit, duke shtuar se qëllimi i tij, është të faktorizojë vetveten.
“Bëhet fjalë për gjuhë urrejtje klasike e drejtuar nga një politikan margjinal, ku qëllim i vetëm i tij është që ta kthejë reflektorin e audiencës te vetvetja. Ka institucione kompetente që duhet të merren me provokime të tilla”.
Ky status I Bogojevskit vjen disa ditë pasi në media u publikua videoja e kryeparlamentarit Afrim Gashi, i cili po shkonte në dasëm i shoqëruar me sigurim dhe dasmorë të tjerë.