Boçvarski pret që autostradat Petrovec-Katllanovë dhe Kërçovë-Ohër të përfundojnë vitin e ardhshëm

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski pret që seksioni Petrovec – Katllanovë të përfundojë vitin e ardhshëm, ndërsa autostrada Kërçovë – Ohër të përfundojë deri më 31 dhjetor të vitit të ardhshëm.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri, Boçvarski ka shpjeguar se përse është shtyrë afati për ndërtimin e autostradës Petrovec – Katllanovë, duke theksuar se sipërmarrësi nuk ka bërë përparimin e dëshiruar dhe për këtë arsye është ndërprerë kontrata. Boçvarski bën të ditur se ka përfunduar prokurimi i ri publik, është zgjedhur kontraktori dhe është vënë në funksion.

“Këto ditë po nisin matjet në terren, për të bërë matje shtesë nga kontraktori i ri dhe sigurisht që nga fillimi i vitit të ardhshëm presim punime ndërtimore sipas kushteve atmosferike. Pritjet tona janë që ky seksion duhet të përfundojë vitin e ardhshëm sepse ua kemi borxh qytetarëve, por ndonjëherë ka rrethana dhe kushte të tilla kur kontraktorët nuk i respektojnë afatet e përcaktuara dhe pastaj kalojmë në ndërprerjen e kontratës”, tha Boçvarski.

Sa i përket autostradës Kërçovë-Ohër, ministri tregoi se po bëjnë presion që ajo të përfundojë në afatin e paraparë – 31 dhjetor 2023.

“Kemi një ekip nga të gjitha resorët nga Ministria, Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore, Agjencia për Marrëdhënie Pronësore-Juridike, Avokati i Popullit, Agjencia për kadastër të patundshmërisë dhe të tjerë që kanë pjesë në këtë procedurë dhe punojnë çdo ditë për të zgjidhur të gjitha. Procedurat dhe vështirësitë që janë shfaqur në terren, por progresi tani po shkon mirë, gjërat po shkojnë mirë dhe afati ynë që e kemi caktuar për realizimin e kësaj autostrade është i pandryshuar”, theksoi Boçvarski.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share