Blloku rajonal i shteteve të Afrikës Perëndimore tha se ndërhyrja ushtarake në Nigerin që po udhëhiqet nga junta, “është mjet i fundit”, përderisa Nigeria ndërpreu furnizimet elektrike për të intensifikuar presionin ndaj liderëve të puçit.
Shefat e ushtrisë të shteteve të këtij blloku u takuan më 2 gusht për të përgatitur një përgjigje për situatën në Niger. Në takim ishte i pranishëm edhe një delegacion nga Nigeri, një javë pas puçit ushtarak, që detyroi Francën të evakuonte shtetasit e saj.
Bashkësia Ekonomike e shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) gjatë fundjavës vendosi sanksione tregtare dhe financiare dhe i dhanë afat prej një jave puçistëve që të rikthejnë pushtetin te presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike ose paralajmëruan se ata do të përballen me përdorimin e forcës.
“Opsioni ushtarak është mjeti i fundit, por ne jemi të përgatitur për çdo mundësi”, tha Abdel-Fatau Musah komisionar për politikë të jashtme, paqe dhe siguri në ECOWAS.
Musah tha se një ekip i ECOWAS, i udhëhequr nga ish-lideri nigerian, Abdulsalami Abubakar, ka qenë në Niger për “negociata”.
ECOWAS do të zhvillojë takim treditor në Abuxha.
Aktualisht këtë grup rajonal e udhëheq Nigeria, që është superfuqi ushtarake dhe ekonomike në Afrikën perëndimore.
Ky shtet veçse ka ndërprerë furnizimet me energji elektrike për Nigerin.
Nigeri, një prej shteteve më të varfra në botë, merr 70 për qind të energjisë elektrike nga Nigeria.
Ndërkaq, Mali dhe Burkina Faso, që udhëhiqen nga juntat ushtarake, kanë paralajmëruar kundër çdo ndërhyrjeje ushtarake në Niger, duke konsideruar se një gjë e tillë do të ishte “shpallje e luftës” kundër tyre.
Një prej liderëve të puçit, gjenerali Salifou Mody, ka shkuar në Mali për negociata. Por, më shumë detaje nuk janë bërë të ditura për këtë vizitë.
Presidenti i Nigerit, Mohamed Bazoum, u rrëzua nga pushteti gjatë puçit ushtarak më 26 korrik. Ai ishte zgjedhur president më 2021, në zgjedhjet e para në këtë shtet ku ndodhi dorëzim paqësor i pushtetit.
Edhe Italia ka njoftuar se ka evakuuar rreth 100 të huaj nga Nigeri, dhe radio ANSA raportoi se në mesin e tyre ishin 36 italianë dhe 21 amerikanë.
Ndërkaq, Gjermania u ka bërë thirrje shtetasve të saj të largohen. Shtetet e Bashkuara – që kanë 1.100 trupa të stacionuara në Niger – deri më tani nuk kanë bërë ndonjë njoftim për evakuimin e amerikanëve.