MICKOSKI: JEMI KËTU PËR TË MBËSHTETUR MAQEDONASIT
Me prezencë të shtuar policore në Bllagoevgrad të Bullgarisë është hapur klubi maqedonas “Nikola Vapcarov”. Në hapjen e klubit kanë marrë pjesë përfaqësues të Organizatës “Ilinden-Pirin”, sekretari I përgjithshëm në Kabinetin e Presidentit të vendit, Mile Boshnjakovski si dhe liderët e VMRO-DPMNE-së dhe së “Majtës”, Hristija Mickoski dhe Dimitar Apasiev.
Mickoski në një deklaratë për mediat tha se prezenca e tij në hapjen e këtij klubi ka për qëllim mbështetjen e maqedonasve në Bullgari.
“Duhet të respektohet e drejta e vetëvendosjes. Kurse e drejta jonë që të vetëpërcaktohemi si Maqedonas është e pamohueshme dhe e garantuar me të gjitha aktet ndërkombëtare. Për këtë shkak jemi këtu t`I mbështesim Maqedonasit tanë në Bullgari” – deklaroi Hristijan Mickoski.
Përballë klubit maqedonas, në organizim të VMRO – Lëvizjes Kombëtare Bullgare ishte hapur një ekspozitë me flamuj bullgar dhe fotografi të Mbretit Borisi i Tretë dhe një pjese të revolucionarëve maqedonas Goce Dellçev dhe Jane Sandanski që përcillej me muzikë të zhurmshme.
Ndërkohë, policia bullgare për shkaqe sigurie, nuk lejoi që liderët e VMRO-DPMNE-së dhe “Levicës” të shkojnë në sheshin e Bllagoevgradit për të vënë kurora me lule tek përmendoret.
Në Bllagoevgrad derisa hapej klubi maqedonas, në qendër të qytetit një grup qytetarësh të udhëhequr nga Eurodeputeti bullgar, Angel Xhambaski kanë organizuar protesta dhe nuk kanë lejuar që të vendosen kurora me lule tek përmendoret.
Mediat njoftojnë edhe për një incident verbal në Bllagovegrad midis liderit të VMRO-DPMNE-së dhe një qytetari. Incidenti ka ndodhur pas hapjes së klubit kur mysafirët janë drejtuar drejt përmendores së babait të Goce Dellçevit. Duke e quajtur Mickoskin – tradhëtar, qytetari kishte kërkuar që të flet në gjuhën bullgare. /KlanMacedonia/