Blinken paralajmëroi KB-në që të mos mashtrohen nga thirrjet për një armëpushim që do të forconte Rusinë

Sekretari amerikan i Shtetit Entoni Blinken paralajmëroi sot Këshillin e Sigurimit të KB-së që të mos mashtrohet nga thirrjet për një armëpushim të përkohshëm ose të pakushtëzuar në Ukrainë, duke thënë se vetëm një paqe “e drejtë dhe e qëndrueshme” nuk do ta lejojë Rusinë të rehabilitohet, të armatoset dhe agresioni të vazhdojë.

“Që paqja të jetë e drejtë, ajo duhet të përmbajë parimet që janë në themel të Kartës së KB-së: sovraniteti, integriteti territorial, pavarësia. Që paqja të jetë e qëndrueshme, ajo duhet të sigurojë që Rusia thjesht të mos pushojë, të armatoset dhe pas disa muajsh ose dy vitesh të fillojë përsëri luftën”, tha kreu i diplomacisë amerikane para Këshillit të Sigurimit të KB-së prej 15 anëtarësh, i cili u mblodh në përvjetorin e fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës.

Paralajmërimi i Blinkenit vjen vetëm disa orë pasi Kina bëri thirrje për t’i dhënë fund armiqësive me planin e saj prej 12 pikash që kryesisht në masë të madhe e përsërit atë që Pekini ka thënë prej  fillimit të  asaj që Rusia e quan një “operacion special ushtarak”.

“Çdo paqe që legjitimon rrëmbimin e dhunshëm të territoreve nga Rusia do të dobësojë Kartën (KB) dhe do t’u dërgojë një mesazh agresorëve të mundshëm se ata mund të sulmojnë vendet dhe të shpëtojnë prej saj”, tha kreu i diplomacisë amerikane.

Asambleja e Përgjithshme e KB-së dje votoi me shumicë të madhe në favor të një rezolute që i bën thirrje Rusisë të tërheqë trupat e saj nga Ukraina dhe për një “paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme” në përputhje me Kartën themeluese të KB-së.

Asnjë anëtar i këtij Këshilli nuk duhet të bëjë thirrje për paqe duke mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe Kartën e KB-së, tha Blinken, i cili akuzoi Kinën se po mendon t’i dërgojë  armë Rusisë dhe paralajmëroi Pekinin për të mos e bërë.

Që nga fillimi i pushtimit, fuqitë perëndimore kanë furnizuar Ukrainën me armë me vlerë prej miliarda dollarë. Kina dje para Asamblesë së Përgjithshme deklaroi se “dërgimi i armëve nuk do të sjellë paqe në Ukrainë”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share